Prokurori i rastit për tragjedinë në Gllogjan: Janë disa pista të hetimit

by admin
Spread the love

Kryeprokurori i shtetit bën thirrje që kushdo që ka informata rreth ngjarjes makabre që ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në Gllogjan të Deçanit, të bashkëpunojë me organet e drejtësisë.

Me anë të një komunikate të lëshuar prokuroria ka thënë se kërkon bashkëpunimin e të gjithë atyre që kanë informacione rreth ngjarjes që ka ndodhur në Gllogjan, ku kanë mbetur të vrarë tre persona, prej tyre dy fëmijë, nxënës që po ktheheshin në shtëpi, shkruan Gazeta Infokus.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj thotë se po punojnë në drejtim të zbardhjes së rastit të sulmit ndaj autobusit në Deçan ku u vranë tre persona, dy prej tyre nxënës.

“Deri tash informatat që ne posedojmë janë tri viktima. Është shoferi i një autobusi dhe dy nxënës. Një është i plagosur”, tha Isufaj.

“Ka pista të ndryshme të hetimit. Për momentin nuk kemi motiv të caktuar dhe nuk kemi më shumë informata. Jemi duke punuar”, shtoi ai.

“Nuk mundem me thënë tash për numrin e personave të dyshuar, veçse jemi duke punuar në drejtim të identifikimit të kryrësve të mundshëm të këtij rasti tepër tragjik”, tha Isufaj.

“Është shumë herët me fol diçka për këtë sepse nuk dëshirojmë të spekulojmë por jemi duke punuar në këtë drejtim’, theksoi ai.

Më herët edhe Veton Elshani nga Policia e Kosovës, ka konfirmuar se tashmë janë angazhuar të gjitha njësitet relevante për të zbardhur rrethanat e këtij akti.

“Kemi angazhuar të gjitha njësitet elite, njësiti me qen, specialët dhe shumë shpejt bashkohet edhe Prishtina, që nga Drejtori i Përgjithshëm. Kaq mund të them”, tha Elshani.

You may also like