Presidenti Biden do të kërkojë vazhdimësinë e financimit për Ukrainën

by admin
Spread the love

Ndërsa është vendosur në rrezik financimi për Ukrainën për shkak të paqëndrueshmërisë në Kongres, Presidenti Joe Biden thotë se do të mbajë një fjalim të rëndësishëm për të bindur popullin amerikan që të vazhdojë mbështetjen për ukrainasit që po mbrohen ndaj sulmit të Rusisë.

“Do të paraqes argumentin se është në të mirë të Shteteve të Bashkuara që Ukraina të dalë me sukses”, tha Presidenti Biden të mërkurën ndërsa po përballej me pyetjet e gazetarëve.

Komentet vijnë pas largimit dramatik të martën të republikanit Kevin McCarthy nga detyra e Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, dhe pasi Kongresi nuk përfshiu në buxhet ndihmën për Ukrainën në një marrëveshje të minutës së fundit për të parandaluar një mbyllje të përkohshme të qeverisë amerikane.

Ndërkohë që duhet negociuar deri në mesin e nëntorit një marrëveshje e re për financimin e funksionimit të qeverisë, Presidenti Biden sinjalizoi se është në kërkim të mënyrave alternative për të siguruar vazhdimësinë e ndihmës për Ukrainën.

“Mund ta mbështesim Ukrainën në pjesën e ardhshme të ndihmave që na nevojiten”, tha ai. “Ekziston edhe mënyrë tjetër me të cilën mund të sigurojmë fondet për këtë. Por, nuk do veproj kështu tani”.

Pentagoni paralajmëroi se nëse Kongresi nuk merr masa, fondet mund të mbarojnë brenda disa muajsh, me vetëm 5.4 miliardë dollarë të mbetur nga fondet prej të cilave ka autoritetin të tërheqë presidenti, si dhe 1.6 miliardë dollarë të mbetur nga 25.9 miliardë dollarët e ofruar nga Kongresi për të plotësuar rezervat ushtarake amerikane që janë dërguar në Ukrainë.

“Jam i shqetësuar, por e di se ka një shumicë anëtarësh të Dhomës dhe Senatit, nga të dyja partitë, që kanë thënë se mbështesin financimin e Ukrainës”, tha Presidenti Biden.

Mungesa e financimit do të ndikojë jo vetëm në situatën në luftimet në terren në Ukrainë, teksa ajo vazhdon kundërsulmin e saj dhe ndërsa afrojnë muajt sfidues të dimrit, por gjithashtu mund të inkurajojë Moskën, tha Luke Coffey, studiues për politikën e jashtme në Institutin Hudson.

“Ata i shohin shenjat dhe kanë shumë shpresë që ky kaos i vazhdueshëm të mbetet në Shtetet e Bashkuara dhe se nuk ka ndonjë financim për Ukrainën”, i tha ai Zërit të Amerikës. “Vetëm Rusia mund të përfitojë nga kjo”.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre nuk pranoi të jepte detaje të mëtejshme për fjalimin e presidentit, por pranoi se një pjesë në rritje e publikut amerikan po vë në pikëpyetje nëse duhet të vazhdojë dërgimi i shumave historike të fondeve për të ndihmuar popullin ukrainas.

“I kemi parë anketimet”, tha ajo në përgjigje të pyetjes së Zërit të Amerikës gjatë konferencës së të mërkurës. “Gjithashtu besojmë se është me rëndësi themelore për sigurinë tonë kombëtare, si dhe për të mbështetur popullin e madh të Ukrainës që të vazhdojë”.

Njëzet muaj nga fillimi i sulmit të forcave ruse, mbështetja publike për ndihmën ushtarake amerikane po pakësohet, sipas një sondazhi të publikuar të mërkurën nga Këshilli i Çikagos për Çështjet Globale. Gjashtëdhjetë e tre përqind e amerikanëve mbështesin dërgimin e armëve dhe furnizimeve shtesë në Ukrainë, krahasuar me 72% në korrik 2022. Rënia është më e mprehtë në radhët e republikanëve, të pasuar nga të pavarurit, ndërsa mbështetja e demokratëve mbetet kryesisht e pandryshuar.

Ndërsa po bie mbështetja, Presidenti Biden duhet t’i shpjegojë më mirë popullit amerikan se interesat e tyre jetike janë në rrezik, tha ish-ambasadori në Ukrainë John Herbst, i cili tani është drejtor i Qendrës për Euroazinë të Këshillit Atlantik.

Mesazhi duhet të jetë se objektivat e Presidentit rus Putin kërcënojnë drejtpërdrejt interesat amerikane, tha zoti Herbst për Zërin e Amerikës. “Sepse nëse ai fiton në Ukrainë, ai do të provokojë dhe ndoshta do të bëjë agresion të drejtpërdrejtë kundër aleatëve tanë të NATO-s, gjë që do të kërkojë shpenzime më të mëdha amerikane për mbrojtjen dhe përdorimin e forcave amerikane”.

Që nga fillimi i luftës, administrata e Presidentit Biden dhe Kongresi i Shteteve të Bashkuara kanë miratuar mbi 75 miliardë dollarë ndihma për Ukrainën, ku përfshihet mbështetje humanitare, financiare dhe ushtarake, sipas Institutit të Kielit për Ekonominë Botërore, një institut gjerman i politikave.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba tha të hënën se ai mbetet i bindur se mbështetja e Shteteve të Bashkuara nuk është lëkundur, duke e quajtur vendimin e Kongresit për të mos lënë mënjanë fondet për Ukrainën, një “rast individual”.

Pasardhësi i zotit McCarthy

Një kryetar i ri i Dhomës së Përfaqësuesve, i cili kundërshton ndihmën për Ukrainën, mundet ta anulojë një propozim përpara se të paraqitet për votim. Pra, një marrëveshje në lidhje me Ukrainën mund të varet nga kush do të bëhet Kryetari i ardhshëm i Dhomës së Përfaqësuesve. Kryetari McCarthy u shkarkua të martën pas një mocioni nga kolegu i tij republikan Matt Gaetz, i mbështetur nga gjithsej tetë republikanë dhe 208 demokratë.

Të mërkurën, Jim Jordan u bë i pari që deklaroi publikisht synimin e tij për të kandiduar për kryetar. Kanë qarkulluar edhe emra të tjerë, përfshirë Ligjvënësin Steve Scalise, republikanin numër 2 të Dhomës së Përfaqësuesve, i cili prej kohësh është shfaqur si favorit për të marrë postin e kryetarit pas zotit McCarthy, si dhe Kevin Hern, kryetar i Komitetit të Studimit Republikan, grupi më i madh republikan në Dhomën e Përfaqësuesve.

Grupi “Defending Democracy Together” ka bërë një renditje të ligjvënësve nga A në F, për nga niveli i mbështetjes së tyre të mëparshme për ndihmën për Ukrainën, me A që nënkupton mbështetjen më të fortë. Ligjvënësit Jordan dhe Hern vlerësohen tek F, ndërsa Ligjvënësi Scalise vlerësohet tek niveli B.

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve planifikojnë të mblidhen të martën e ardhshme për një raund të parë votimi të brendshëm partiak.

Shqetësuese për aleatët

Përçarja në Uashington është shqetësuese për evropianët, të cilëve u është thënë për një kohë të gjatë se shumica e republikanëve e mbështesin Ukrainën dhe se nuk ka gjasa për një ndryshim, tha Liana Fix, specialiste për Evropën në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë.

“Kjo ngre sërish pikëpyetje për besueshmërinë dhe parashikueshmërinë e Shteteve të Bashkuara”, tha ajo për Zërin e Amerikës.

Mbështetja evropiane gjithashtu po dëmtohet. Kryeministri i Hungarisë Viktor Orbán së fundmi kërcënoi se do të vërë veton ndaj ndihmës së Bashkimit Evropian për Ukrainën, ndërsa Robert Fico, një ish-kryeministër që bëri fushatë me një mesazh pro-rus, sapo ka fituar zgjedhjet parlamentare të Sllovakisë.

Forcat në Evropë që përpiqen të përfitojnë nga pakënaqësia dhe pikëpamjet pro-ruse sigurisht që do ta marrin situatën në Uashington si një konfirmim se nevojitet një ndryshim në përqasje, vuri në dukje zonja Fix. “Pak a shumë në linjën e: “Nëse SHBA-së i mungon mbështetja, përse qytetarët tanë duhet të vazhdojnë të paguajnë për Ukrainën?”, tha ajo.

Ndërsa shqetësimi për angazhimin e Shteteve të Bashkuara rritet mes evropianëve, Presidenti Biden bëri telefonata këtë javë me mbi dymbëdhjetë përfaqësues të vendeve aleate dhe partnere, për t’i siguruar se është i përkushtuar për ndihma ushtarake për Ukrainën për aq kohë sa do të duhet, tha Shtëpia e Bardhë. /VOA


Top Channel

You may also like