PRAGË – Polonia dhe Republika Çeke kundër dërgimit të trupave tokësore në Ukrainë

by admin
Spread the love

PRAGË, 27 shkurt /ATSH-DPA/- Kryeministrat e Polonisë dhe Republikës Çeke kanë shprehur skepticizëm për idenë e vendosjes së trupave tokësore perëndimore në Ukrainë, një ditë pasi presidenti francez Emmanuel Macron tha se kjo nuk mund të përjashtohej.

“Polonia nuk po planifikon të dërgojë asnjë ushtarë”, tha sot kryeministri polak, Donald Tusk pas një takimi me homologun e tij çek, Petr Fiala në Pragë.

Tusk tha se fokusi duhet të ishte në ofrimin e mbështetjes maksimale të Ukrainës në përpjekjet e saj ushtarake kundër pushtimit rus.

Ai nuk komentoi nëse kjo pikëpamje mund të ndryshonte në të ardhmen në rrethana të ndryshme.

Fiala iu referua një nisme çeke që synon të sigurojë municione artilerie nga vendet e treta dhe t’i dorëzojë ato në Kiev në bashkëpunim me shtetet e tjera evropiane si, Holanda.

Tusk shtoi se nëse të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian do të ishin po aq të përkushtuara sa Republika Çeke dhe Polonia, nuk do të kishte nevojë të diskutohej për forma të tjera mbështetjeje.

Reagimi i tyre vjen pas deklaratës së Macron dje në mbrëmje në konferencën për ndihmë ndaj Ukrainës, të organizuar në Paris.

“Nuk ka një konsensus për vendosjen zyrtarisht të trupave tokësore. Por, asgjë nuk mund të përjashtohet në dinamikë. Ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të siguruar që Rusia të mos ta fitojë këtë luftë”, tha Macron. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like