Polonia merr rol kyç në luftën e Rusisë ndaj Ukrainës

by admin
Spread the love

Që nga fillimi i luftës së Rusisë ndaj Ukrainës në muajin shkurt, Polonia është kthyer në një aleat kyç të NATO-s për përballimin e agresionit rus dhe një partner i domosdoshëm i Shteteve të Bashkuara në rajon.

Më shumë se 7 milionë ukrainas kanë kaluar kufirin e Polonisë si refugjatë. Sot, Ukraina dhe aleatët e NATO-s mbështeten tek Polonia për dërgimin e armëve dhe ndihmave humanitare në Ukrainë.

Një ditë para se Rusia të niste sulmin në Ukrainë në 24 shkurt, Presidenti i Polonisë Andrzej Duda vizitoi Kievin dhe premtoi se “Polonia nuk do ta linte asnjëherë vetëm Ukrainën”.

Me nisjen e agresionit, Polonia i mirëpriti ukrainasit që iknin nga lufta.

Lukasz Adamski, zëvendës drejtor i Qendrës “Mieroszewski” në Varshavë thekson se Polonia është kthyer në një shtëpi për miliona refugjatë ukrainas.

Polonia ka luajtur gjithashtu një rol kyç për të lehtësuar dërgimin e arëmve të Perëndimit dhe ndihmave humanitare në Ukrainë.

Zoti Adamski tha se kërcënimi rus ndryshoi raportet mes Ukrainës dhe Polonisë, që jo përherë kanë qenë të lehta.

“Lufta ndikoi në mënyrë thelbësore në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, rritjen e besimit dhe mirëkuptimit reciprok. Po ashtu lufta dëshmoi se të dy vendet kanë një interës dhe vision të përbashkët për të ardhmen”, thotë ai.

Në maj, Presidenti i Polonisë, Duda foli në Parlamentin e Ukrainës, duke u bërë kështu udhëheqësi i parë i huaj që kryente këtë akt që prej nisjes së luftës.

Ai nënvizoi mbështetjen ndaj aspiratës së Ukrainës për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian dhe kritikoi disa qendrime të autoriteteve në Europë se Ukraina duhet të pranonte disa nga kërkesat e Presidentit të Rusisë Vladimir Putin.

Sipas zotit Duda, çdo lëshim territorial për Rusinë do të paraqiste një goditje për të gjithë Perëndimin.

“Vetëm Ukraina mund të përcaktojë të ardhmen e saj. Bota duhet të kërkojë që Perëndimi të ndërhyje për tërheqjen e plotë ruse nga territori i Ukrainës dhe të ndalojë shkeljen e ligjit ndërkombëtar”, deklaroi ai.

Në vitin 2022, Polonia u kthye në vendin kryesor që mbështeti me armatime Ukrainën dhe së bashku me vende të tjera balltike, tentuan të ushtrojnë ndikim për integrimin e Ukrainës në Bashkimin Europian dhe në NATO.

Mbështetja e Varshavës për Kievin ndihmoi në përmirësimin e marrëdhënieve Poloni-SHBA, marrëdhënie të cilat kishin qenë të vështira.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden vizitoi Poloninë në mars, ku takoi refugjatë ukrainas dhe trupat amerikane në terren. Gjatë vizitës, ai theksoi objektivin strategjik të Shteteve të Bashkuara për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj për demokraci dhe vetëvendosje dhe e cilësoi Poloninë si një “fushëbetejë” të rëndësishme në përpjekjen për liri dhe siguri në Europë.

“Për gjenerata të tëra, Varshava ka qenë aty ky liria është sfiduar, dhe në fund, liria ka fituar. Lufta e sotme në Kiev, Mariupol dhe Karkiv është beteja e fundit e një përpjekje të gjatë për liri, si ajo në Hungari në 1956, në Poloni në 1956 dhe përsëri në 1981 dhe në Çekosllovaki në 1968″, ka thënë presidenti Biden.

Ai nënvizoi angazhimin amerikan ndaj Ukrainës dhe vuri në dukje se veprimet ruse në Ukrainë forcuan lidhjet midis aleatëve.

“Forcat ruse janë përballur me qëndresën e fortë e të guximshme ukrainase. Në vend që të thyenin vendosmërinë ukrainase, taktikat brutale të Rusisë kanë forcuar vendosmërinë e saj. Në vend që të përçante NATO-n, sulmi e ka bërë Perëndimin më të fortë dhe më të bashkuar se asnjëherë më parë. Rusia donte më pak prani të NATO-s në kufirin e saj, por tani Putin ka një prani më të madhe e më të fortë në kufi, me mbi njëqind mijë trupa amerikane dhe trupa nga vendet e tjera anëtare të NATO-s”, ka thënë zoti Biden.

Shtetet e Bashkuara dhe Polonia kanë kontribuar financiarisht për Ukrainën.

Sipas Institutit Kiel për Ekonominë Botërore, nga 24 janari deri më 3 tetor, SHBA-të u zotuan për një ndihmë ushtarake, humanitare dhe financiare prej rreth 55 miliardë dollarësh për Ukrainën, ndërsa Polonia premtoi gati 3 miliardë dollarë.

Teksa territori polak është bazë për mbështetjen ukrainase, Polonia është bërë një aleat i domosdoshëm i SHBA-së për sigurinë evropiane./Voa


Top Channel

Lexo lajme interesante

You may also like