Plori: Sfidë delikate me Kukësin, të jemi agresivë pa porte! Arbitrat kanë ndikuar

by admin
Spread the love

Vllaznia pret nesër Kukësin në Shkodër dhe do të kërkojë tre pikët për t’i parakaluar verilindorët në renditje dhe për t’u barazuar me pikë me Partizanin e vendit të tretë. Para mediave sot doli trajneri Elvis Plori, i cili foli për duelin me skuadrën e Longo, objektivin e tyre dhe për gabimet e arbitrave ndaj kuqebluve.

“Do të jetë një sfidë interesante, pasi pretendojmë Europën. Duke parë ngjeshjen e skuadrave, është shumë interesante. Do të jetë një ndeshje e bukur për të gjithë, por shpresojmë që të fitojmë. Duhet të fitojmë nesër, e kemi vlerësuar Kukësin, por kemi mundësi edhe ne. Duhet të jemi me këmbë në tokë, por duhet të shtojmë entuziazmin për të shënuar. Është vendimtare si sfidë, pasi është një ndeshje direkte”.

“Kemi gabuar shumë para porte, pasi kishim raste. Dinamo ka bërë keq në rezulatte, por ka dhuruar dhe ka luajtur futboll. Ndaj nesh luajtën futboll, por gabuam ne dhe mund të ishim më mirë në renditje. Po vuajmë për të shënuar gol. Ishim entuziast, por nuk patëm as fat. Po të jepej ajo penalltia, gjithçka mund të ndryshonte”.

“Vendi i tretë? Duhet të mendojmë për atë vend që të dërgon në Europë. Nëse vëmë re, Kukësi, Partizani dhe ne kemi gabuar. Ekipet janë njësoj dhe presioni për Europën të bën të gabosh. Duhet të ruajmë qetësinë për të marrë më të mirën e lojtarëve”.

“Orari i ndeshjes është një bonus për ndeshjet, por edhe stadiumi. Duhet të kërkojmë lojë sulmuese e të jemi agresivë para portës. Në shumë raste e kemi tepruar me altruizmin, por duhet të jemi cinikë para porte. Duhet të guxojmë më tepër, por duhet të jemi edhe të kujdesshëm. Nëse arrijmë Europën nga kampionati do të jemi të qetë në finalen e Kupës. Për këtë jam munduar që t’i mbaj lojtarët të qetë e që të mendojnë për kampionatin”.

“Vendimet kundër të arbitrave? Të them të drejtën janë bërë shumë. Ne analizojmë çdo ndeshje dhe pavarësisht gabimeve tona, janë edhe gabimet e arbitrave që kanë ndikuar në rezultat, jo vetëm tani, por edhe më përpara. Për Dinamon ishte ndeshja e fundit që shpresonte të qëndronte në Superligë dhe një Vllazni që lufton për Europën, e gjyqtari nuk merr mundimin ta shikojë në VAR.

Është një problem, pasi edhe ndeshja me Skënderbeun shkoi kështu, edhe ndaj Teutës po kështu, edhe me Kastriotin. Duhet të jemi të drejtë, pasi jemi penalizuar dhe po ndikojnë në rezultat. Nuk mund të them që janë me orientim nga lart, mund të jenë edhe gabime, nuk mund të them asgjë, por ato raste ndikojnë pasi diferencat janë të vogla te skuadrat tona”, përfundoi Plori. / oversport.tv

You may also like