Pioli: Rinovimi me Theo, sinjal i synimeve të Milanit! Jemi më të pjekur

by admin
Spread the love

Stefano Pioli, trajneri i Milanit, ka dalë para mediave dhe ka folur në prag të ndeshjes së nesërme kundër Sampdorias. Sigurisht që pyetjet për teknikun italian kanë qenë të shumta, duke nisur nga rinovimi me Theo Hernandez, te situata e Kessia, golat e Giroud dhe jo vetëm.

“Rinovimi i Theo Hernandez? Është një shenjë e mrekullueshme e një klubi që ka vizion për të tashmen dhe të ardhmen. Rinovimi i Theo është një shenjë e rëndësishme për të gjithë mjedisin. Është e qartë që Milani dëshiron të kthehet në nivelet më të larta”.

“Milani i vërtetë u kthye në 20 minutat e fundit të derbi? Pesimizmi nuk ka hyrë kurrë në Milanello. Ne gjithmonë kemi punuar shumë. Forca e këtij grupi është të qëndrojë i bashkuar në vështirësi. Jemi të kënaqur me dy ndeshjet e fundit, por fokusi kryesor është te dueli i nesërm”.

“Formacioni? Ideja ime është të fus në fushë skuadrën më të mirë, por mund të ndodhë që të mos jetë e njëjta me atë të së mërkurës. Mund të ndryshojë në varësi të gjendjes së lojtarëve dhe të kundërshtarit që kemi përballë”.

“Giroud shënon në San Siro vetëm? Është një rastësi. Tani ai është fizikisht dhe mendërisht mirë, por e rëndësishme është që skuadra të vazhdojë të ofrojë futboll sulmues që të rrisë edhe cilësinë e sulmuesve. Sa i takon Ibrahimovic, ai ende po punon veçmas, atij i duhen edhe disa ditë”.

“Kessie? Ai është një titullar për Milanin, si gjithë të tjerët. Nuk jam dakord për kritikat e bëra për paraqitjet e tij të fundit. Kundër Lazios ai punoi mirë në të dy fazat e lojës dhe në mbulimin e Milinkovic, kurse në derbi një lojë sakrifice. Jam i bindur për cilësitë e tij teknike dhe morale. Ai duhet të vazhdojë kështu”.

“Milan më i pjekur sivjet? Jami bindur se ekipi është më i vetëdijshëm për forcën që ka dhe më i pjekur se një vit më parë. Kjo është normale. Jemi të rinj, por kemi kaluar përvoja dhe jemi rritur. E dimë se çdo ndeshje është e rëndësishme dhe duhet të trajtohet me shumë vëmendje. Ajo që ka rëndësi është vetmën dueli i nesërm”.

“Për t’u kthyer fitues kanë mbetur edhe 15 ndeshje të tjera. Duhet të mendojmë të marrim sa më shumë pikë që të jetë e mundur. Nesër kemi një kundërshtar të vështirë, që fitoi 4-0 kundër Sassuolo. Duhet të bëjmë një paraqitje të kujdesshme që të mund të fitojmë. Le të bëjmë maksimumin, rezultati varet nga ne. Giampaolo ka bërë vetëm dy ndeshje me Sampdorian, por shenjat e punës së tij mund të shikohen që tani.

Sampdoria është një ekip me cilësi dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm. Giampaolo do të jetë i motivuar për të përmirësuar situatën e një klubi të madh si Sampdoria. Kur duhet të përballesh me një provim të vështirë, duhet të përgatitesh në mënyrën më të mirë të mundshme. Ndeshja e nesërme është shumë e komplikuar dhe duhet të përgatitemi për ta përballuar me forcë. Duhet përqendrim dhe vullnet i madh për t’u përpjekur për të bërë edhe më mirë nesër”. / oversport.tv

You may also like