Pika kufitare Rafah hapet për evakuime të kufizuara – Shqip

by admin
Spread the love

88 palestinezë të plagosur dhe 545 shtetas të huaj do të kalojnë drejt Egjiptit, interneti ndërpritet sërish në Gaza

Me ndërmjetësimin e Katarit, një marrëveshje midis Egjiptit, Izraelit dhe Hamasit, në koordinim me SHBA-në është arritur këtë të mërkurë për të hapur pikën e kalimit Rafah në mënyrë të kufizuar për evakuime nga Gaza.

Një grup i parë i të plagosurëve nga Gaza kaluan në Egjipt. Të evakuuarit u dërguan me ambulanca përmes pikës kufitare Rafah. Në total janë 88 palestinezë të plagosur si dhe rreth 545 shtetas të huaj. Ata kanë nevojë për shërbime mjekësore më të avancuara, të cilat nuk janë të disponueshme në spitalet e Rripit të Gazës, ndaj prioritet iu dha atyre personave në bazë të gjendjes shëndetësore.

Marrëveshja do t’i lejojë shtetasit e huaj si dhe disa njerëz të plagosur rëndë të largohen përmes kalimit kufitar Rafah midis Egjiptit dhe Gazës, megjithëse nuk ka një afat kohor për sa kohë do të mbetet i hapur për evakuim.

Një shtetas jordanez, i cili mbeti i bllokuar në Gaza për gati një muaj, iu drejtua pikës kufitare Rafah  me shpresën se do të kalojë drejt Egjiptit. Manar Farra, i cili humbi 76 anëtarë të familjes së tij që jetonin në Gaza , shprehet se erdhi në pikën kufitare pesë herë, por nuk arriti të kalonte.

“Kjo nuk është hera e parë që vij në kalimin kufitar Rafah. Më telefonuan dhe më thanë se emri im është në listë për evakuim. Sa për muajin që kalova këtu, ishte një muaj i papërshkrueshëm. Jeta në Gaza është një katastrofë. Vendet arabe po heshtin për atë që po ndodh këtu, ku çdo ditë bëhet një masakër e re.”

Marrëveshja nuk përfshin çështje të tjera, si pengjet e mbajtura nga Hamasi, apo pauzat e krijuara për të lehtësuar krizën humanitare në enklavën e cila po përballet me mungesa të ushqimit, ujit, karburantit dhe ilaçeve.

Ndërkaq në të gjithë Rripin e Gazës për herë të dytë brenda një kohe të shkurtër telekomunikacioni dhe interneti është ndreprerë në një shkallë të plotë pasi sulmet ajrore izraelite rrafshuan ndërtesat e banimit pranë Gazës.

Agjencitë e ndihmës humanitare kanë paralajmëruar se shkeputje të tilla ndërpresin rëndë punën e tyre në një situatë të rëndë në Gaza, ku më shumë se gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë palestinezësh është zhvendosur.

Ndërkaq bastisjet vijojnë sërish në Bregun Perëndimor. 50 palestinezë të tjerë janë arrestuar nga forcat izraelite në disa qytete. Katër palestinezë u vranë në sulmet e ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor duke e çuar numrin e të vdekurve në 130.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë goditur mbi 11 mijë objektiva, për të cilat thonë se u përkasin organizatave terroriste në Rripin e Gazës që nga fillimi i luftës me Hamasin më shumë se 3 javë më parë.Sipas Izrealit, numri i ushtarëve të vdekur tani është 326, përfshirë 11 ushtarë që humbën jetën një ditë më parë në Gaza,  të gjithë të moshës nga 19 deri në 20 vjeç. Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se lufta e Izraelit në Gaza do të ishte e gjatë, e ashpër dhe me humbje porn ë fund të saj Izraeli do të dalë fitimtar pasi të ketë arritur të shkatërrojë Hamasin.

Klan News

You may also like