PHENIAN – Kim: Duam të bëhemi forca më e madhe bërthamore në botë

by admin
Spread the love

PHENIAN, 27 nëntor /ATSH-DPA/ – Lideri koreano-verior, Kim Jong Un deklaroi se qëllimi përfundimtar i Koresë së Veriut është të ketë forcën më të madhe bërthamore të botës.

Media shtetërore citoi sot Kim të thoshte se ndërtimi i një force bërthamore për të mbrojtur Korenë e Veriut dhe popullin e saj është “kauza revolucionare më e madhe dhe më e rëndësishme dhe qëllimi i saj përfundimtar është të zotërojë forcën strategjike më të fuqishme në botë”.

Kim i bëri komentet të shtunën teksa promovoi dhjetëra zyrtarë të përfshirë në testin e fundit të një “Hwasong-17”, një lloj i ri rakete balistike ndërkontinentale (ICBM), të cilën ai e quajti “arma strategjike më e fortë në botë”.

”Zyrtarët dhe shkencëtarët bënë një hap të mrekullueshëm përpara në zhvillimin e teknologjisë së montimit të kokave bërthamore në raketa balistike”, tha Kim.

Lëshimi më i fundit i një ICBM nga Koreja e Veriut në fillim të këtij muaji u prit me kritika ndërkombëtare.

Raketat me aftësinë për të udhëtuar më shumë se 5 500 kilometra llogariten si ICBM.

Rezolutat e OKB-së e ndalojnë Korenë e Veriut të testojë ICBM dhe raketa të tjera balistike që, në varësi të dizajnit të tyre, mund të armatosen me një kokë bërthamore.

Situata në Gadishullin Korean aktualisht është shumë e tensionuar.

Koreja e Veriut e armatosur bërthamore ka kryer një sërë testesh raketore në javët e fundit.

Koreja e Veriut aktualisht po teston raketa me një frekuencë jashtëzakonisht të lartë.

Vëzhguesit kanë frikë se testi i parë bërthamor i Phenianit në vite është i afërt./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like