Pesë përfitime shëndetësore fantastike nga konsumimi i rregullt i peshkut

by admin
Spread the love

Peshku është ndër ushqimet më të shëndetshme në planet. Ai është plot me lëndë ushqyese të rëndësishme, si proteina dhe vitamina D. Peshku me vaj, ofron një burim të madh të acideve yndyrore Omega-3, të cilat i sjellin shumë përfitime trupit dhe trurit të njeriut.

Mund t’ua shtojë jetën me 5 vite

Doni të jetoni më gjatë? Hani më shumë peshk me vaj! Studimet tregojnë se nivelet më të larta të acideve yndyrore Omega-3 në gjak, të cilat peshku i përmban me bollëk, kontribuojnë në një jetëgjatësi rreth 5 vjet më shumë sesa mesatarja. Sipas një ekipi ndërkombëtar studiuesish, vetëm një rritje prej 1 për qind në nivelet e Omega-3, e zvogëlon rrezikun e vdekjes së një njeriu po aq sa edhe lënia e duhanit.

Studimi analizoi të dhënat mbi nivelet e acideve yndyrore në gjak të mbi 2200 njerëzve mbi moshën 65 vjeç. Shkencëtarët monitoruan shëndetin e çdo personi për rreth 11 vjet. Rezultatet tregojnë se 4 lloje të acideve yndyrore, kontribuojnë pozitivisht në  jetëgjatësinë e njeriut, përfshirë 2 acide yndyrore të ngopura. Edhe Shoqata Amerikane e Zemrës rekomandon të hani 2 herë në javë peshk me vaj si salmoni, açuget apo sardelet.

Redukton rrezikun e diabetit

Sipas ekspertëve konsumimi i vetëm 2 konservave me sardele në javë, mund të ndihmojë në parandalimin e diabetit të Tipit 2. Një studim i kohëve të fundit, arriti në përfundimin se konsumimi i peshkut me vaj, është më efektiv sesa thjesht marrja e të njëjtave lëndë ushqyese që ofrohen në formën e pilulave.

Studimi vëzhgoi 152 pacientë, të cilët ishin diagnostikuar me para-diabet, pra me nivele të sheqerit në gjak midis 100-124 miligramë për decilitër. Më pas të gjithë pjesëmarrësit iu nënshtruan një diet ushqimore, e cila synonte të zvogëlonte rrezikun e zhvillimit të sëmundjes.

Por disave iu dhanë edhe 2 konserva sardele, pra deri në 200 gram çdo javë. Tek grupi i njerëzve me rrezik të lartë nga diabeti që konsumonin sardele çdo javë, ky rrezik ra nga

27 në 22 për qind gjatë një viti. Për më tepër, ngrënia e peshkut me vaj sillte edhe përfitime të tjera shëndetësore, përfshirë rritjen  e rezistencës ndaj insulinës, rritjen e kolesterolit të mirë dhe hormoneve, të cilat ndihmojnë në zbërthimin e glukozës dhe uljen e presionit të gjakut.

Peshku me vaj mund të ndihmojë në parandalimin e sëmundjeve të zemrës

Një studim i fundit me pjesëmarrës nga 60 vende të botës, zbuloi se konsumimi 2 herë në javë i peshkut me vaj, mund t’i mbrojë nga sëmundjet e zemrës individët me të rrezikuar.

Diferencën e bëjnë acidet yndyrore Omega-3. Studimi zbuloi se individët me rrezik më të lartë, që konsumonin 2 racione në javë peshk të pasur me Omega-3, e ulnin me rreth një të gjashtën (afro 16 për qind) rrezikun e sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru, krahasuar me ata që nuk konsumonin peshk me vaj.

Fëmijët e vegjël kanë më pak gjasa të preken nga sëmundjet

Sipas shkencëtarëve, fëmijët e vegjël që konsumojnë peshk të paktën një herë në javë, kanë më pak gjasa të zhvillojnë astmë, ekzemë dhe sëmundjen e Etheve të Barit deri në moshën 6-vjeçare. Në fakt, fëmijët që hanin rregullisht peshk gjatë 2 viteve të para të jetës së tyre, ishin 24-40 për qind më pak të rrezikuar të prekeshin nga shumë sëmundje. Studimi shqyrtoi të dhënat e mbledhura për një anketë të alergjive pediatrike në Trondheim të Norvegjisë, nga më shumë se 4000 familje.

Ul rrezikun e astmës tek fëmijët

Për fëmijët, astma është një nga shkaqet kryesore të shtrimeve në spital dhe shkuarjen në urgjencë. Vlerësohet se 1 në 12 fëmijë – ose rreth 6 milionë fëmijë në të gjithë SHBA – vuajnë nga kjo sëmundje. Dhe hulumtimet tregojnë se fëmijët që hanë më shumë peshk mund të jenë më pak të prirur ndaj astmës.

Studimi i fundit, përfshiu të dhëna nga më shumë se 4500 fëmijë britanikë. Ata që për 3 muaj konsumuan rregullisht peshk, ishin 51 për qind më pak të rrezikuar nga astma sesa bashkëmoshatarët e tjerë. Rezultatet e këtij studimi, u konfirmuan edhe tek një grupim i pavarur njerëzish të lindur në Suedi. / StudyFinds – Bota.al

You may also like