Pesë ndryshimet e Shqipërisë në pesë ndeshjet e Sylvinhos si kuqezi

by admin
Spread the love

Nuk ka dyshim që kombëtarja e Shqipërisë ka përjetuar një transformim rrënjësor nën drejtimin e Sylvinhos.

I emëruar më 2 janar të këtij viti, tekniku 49-vjeçar ka fituar shpejt zemrat e shqiptarëve me dedikimin, pasionin dhe energjinë që i përcjell skuadrës.

I janë dashur vetëm pesë ndeshje në krye të përfaqësueses kuqezi që të ndryshojë të gjithë atmosferën brenda skuadrës kombëtare. Tri fitore, një barazim dhe një humbje. Tetë gola të shënuar dhe vetëm tre të pësuar. Por, më shumë se kaq ka spikatur loja e bukur dhe sulmuese.

Përtej ndryshimit të lojës së ekipit kombëtar, ka gjithmonë komponentë të lojës që nuk vihen re në plan të parë. Për këtë arsye, videoanalisti Fatjon Bardhi, pjesë e emisionit të përjavshëm ‘’Analizë Kuqezi’’ në Supersport/Digitalb, ka nxjerrë në pah disa nga ndryshimet kryesore që Shqipëria ka treguar në pesë ndeshjet e para të Sylvinhos.

Në dallim nga periudha e drejtimit të Edi Rejës, Shqipëria ka ndryshuar radikalisht në epokën Sylvhino. Përballë skuadrave më të vogla, siç është rasti i Moldavisë dhe Ishujve Faroe, kuqezinjtë janë shfaqur në fushë si superiorë, duke dominuar në çdo aspekt të lojës. Në ndeshjen e fituar 2-0 ndaj Moldavisë më 17 qershor, Shqipëria pati 70% të mbajtjes së topit, 12 tentativa drejt portës dhe 652 pasime të kompletuara. Në triumfin 3-1 ndaj Ishujve Faroe, kuqezinjtë patën një qarkullim më të vogël të topit, 52%, por tentuan 19 herë drejt portës dhe kompletuan 413 pasime. Në sfidat ndaj Republikës Ceke dhe Polonisë, Sylvinho me të njëjtët lojtar kompaktësoi skuadrën dhe menaxhoi ritmin më mirë.

  • Lojtarët janë çliruar psikologjikisht

Një nga aspektet ku ka vënë më shumë dorë Sylvinho është psikologjia e lojtarëve. Si një trajner që ka punuar nën urdhrat e Pep Guardiolës, Roberto Mancinit dhe Tites, 49-vjeçari di se si t’i mobilizojë lojtarët dhe t’u marrë maksimumin.

Argumenti më i qartë për ndryshimin e psikologjisë së lojtarëve janë pesë golat e shënuar nga jashtë zonës. Jasir Asani, Kristjan Asllani dhe Nedim Bajrami në mënyrë të kombinuar kanë shënuar plot pesë herë me goditje nga jashtë zonës. Një fakt i tillë është manifestimi më i mirë i besimit që i është dhënë lojtarëve tek vetja, për të marrë përsipër dhe për të pasur kurajë në çdo moment në fushën e lojës.

  • Ndarja perfekte e markimeve

 Një tjetër element i lojës që është parë në pesë ndeshjet e para të Sylvinhos janë dhe markimet të cilat kryhen me rigorizitet të plotë në fushën e lojës. Shembulli perfekt është Ylber Ramadani me Piotr Zielinskin të dielën e fundit në ‘’Air Albania.’’ Ngarkimi i detyrës për të markuar Zielinskin, kampion dhe protagonist me Napolin vjet në Serie A, ishte një shenjë e madhe e besimit nga Sylvinho.

 

  • Tranzicioni negativ, arma e fortë e Sylvinhos

 Një nga komponentët më të fortë dhe më të spikatur të ekipit kuqezi nën drejtimin e teknikut brazilian është kur ndodhemi në tranzicion negativ. Kemi parë që skuadra mbron mjaft mirë, si në raport me zonat, por edhe me kundërshtarët. Një kompaktësi dhe mirorganizim i tillë u vërejt edhe në përballjen e fundit ndaj përfaqësuese polake, ku Shqipëria ruajti portën e paprekur falë një vendosjeje perfekte në repartin defensiv, saqë dhe Polonia regjistroi vetëm një gjuajtje në kuadrat.

Në manovrën ofensive lojtarët anësorë shohin më shumë përpara. Një tipar dallues për lojën e deri më tanishme të lojtarëve që janë aktivizuar në krah si Jasir Asani, Myrto Uzuni, Taulant Seferi apo Arbnor Muja ka qenë futja e tyre në manovër dhe krijimi i superioritetit ndaj kundërshtarit. Ndryshe nga koha kur Shqipërinë e drejtonte Edi Reja, ku lojtarët anësorë detyroheshin të mbronin më shumë.

Rezultatet pozitive kanë sjellë shumë eufori, entuziazëm dhe tifozët kanë filluar të thurin ëndrra për Europianin e Gjermanisë. Por, ndoshta, personi me më shumë këmbë në tokë është Sylvinho, që edhe pas një fitoreje të madhe ndaj Polonisë, përsëri në intervistën pas ndeshjes shprehej me modestinë më të lartë, “kemi edhe tre finale, ndaj duhat ta trajtojmë cdo ndeshje me rëndësi maksimale.”/Shqip


Top Channel

You may also like