Përplasje mes deputetëve demokratë, Baçi pro protestës kundër Bashës, Sula thirrje të mos përsëritet “21 Janari”

by admin
Spread the love

Situata aktuale në PD dhe protesta e 8 janarit ka sjellë një përplasje mes deputetëve demokratë Luan Baçi dhe Dashnor Sula në një studio televizive. Baçi u shpreh se data 8 janar do sjellë nisjen e punës së Komisionit të Rithemelimit dhe qëllimi nuk është protesta brenda PD. Sipas tij, protesta bëhet vetëm kundër kreut demokrat Lulzim Basha pasi ai po e mban selinë me dhunë ndërsa shtoi se është një kryetar i shkarkuar nga referendumi.

“Nuk ka protestë brenda PD, PD është një e gjitha, ka opinione të ndryshme, zhvillime të ndryshme një zhvillim të brendshëm në PD. Unë mendoj që pas Kuvendit të 11 dhjetorit situata është më e qetësuar. Data 8 janar është data ku Komisioni i Rithemelimit fillon punë në selinë e PD dhe demokratët janë thirrur të shoqërojnë në formën e një festë si një mbështetje. Qëllimi nuk është protestë brenda PD, mund të quhet protestë ndaj ish-kryetarit, deputeti Basha që në mënyrë të dhunshme mban zyrat. Ai pas referendumit nuk është më kryetar dhe duhet të ikte vetë”, tha Baçi.

Nga ana tjetër Sula tha se duhet pritur vendimi i gjykatës, ndërsa shtoi se identifikimin e PD e bën me institucionin dhe jo me kryetarin. Ai u ndal tek protestat teksa rikujtoi dhe njëherë ngjarjen e “21 Janarit”. Sula u shpreh se kjo ngjarje është një njollë e zezë në qeverisjen e tij teksa bëri thirrje që brenda familjes së PD nuk duhet të përsëritet një veprim i tillë në 8 janar.

“Berisha nga vitit 2005-2013 kishte një shprehje: Kur flet gjykata hesht politika dhe unë sot i them të gjithëve si Bashës dhe Berishës të presim vendimin e gjykatës. Identifikim e PD unë e bëj me institucionin dhe jo me zotin Basha. Për mua është një trishtim i madh që PD sot është në këtë gjendje. Kur aludohet se mund të ketë debate apo konfrontime në protestë është e turpshme. Kemi një njollë të zezë si 21 janari. Në kohën e qeverisjes sonë, kemi një njollë të zezë ku kanë vdekur 4 protestues. Është e pafalshme nga gardistë dhe ish-gardistë në drejtësi intensiteti i sulmit duhet të tejkalojë kushtet e mbrojtjes. Mua si demokrat, nuk dua të përsëritet brenda familjes sonë në 8 janar”, tha Sula.

You may also like