Perez: Superliga nuk ka vdekur

Super Liga europiane për klube ishte kompeticioni më jetëshkurtër në historinë e futbollit, pasi dështoi në më pak se 72 orë nga njoftimi i lindjes, megjithatë presidenti dhe një nga ideatorët kryesorë të saj, Florentino Perez duket se nuk është dorëzuar ende.

Në një intervistë të dhënë për mediat spanjolle, numri një i Realit të Madridit theksoi se të gjithë skuadrat janë ende pjesë e Super Ligës dhe se duhet të paguajnë dëmshpërblim për të dalë, teksa nuk ngurroi të sulmojë edhe UEFA-n e FIFA-n.

“Nuk kam parë kurrë një sulm të tillë, kaq agresiv, a thua se kishim shpërthyer bombën bërthamore. Pashë një agresivitet të jashtëzakonshëm, kryesisht nga njerëz që nuk duan të humbin privilegjet e tyre. Super Liga nuk ka vdekur, pasi thonë që Milani, Juve e Barça kanë dalë, por ato janë akoma brenda. Edhe anglezet janë ende pjesë e Super Ligës, pasi për të dalë duhet të paguajnë një dëmshpërblim”, deklaroi spanjolli.

Anglia ishte shteti më i përfaqësuar në Super Ligë me plot 6 skuadra, apo gjysmën e klubeve nismëtare, megjithatë Perez pranon se njëra prej tyre nuk ishte e bindur plotësisht dhe ndikoi më pas edhe te të tjerat, që të tërhiqeshin menjëherë.

“Midis ne 12-ve ka qenë një klub që nuk ishte plotësisht i bindur dhe më pas ka ndikuar negativisht edhe te pjesa tjetër e grupit. Në Anglia ka shumë pronarë klubesh, që kanë në pronësi edhe klube të NFL-së apo NBA-së, të cilët u frikësuan nga reagimi aq agresiv pas krijimit të Super Ligës dhe vendosën tërheqjen, ndonëse ne kishim një marrëveshje detyruese”, tha Perez.

Në cilësinë e presidentit të Super Ligës, spanjolli pranon se ka një marrëveshje detyruese mes klubeve dhe sqaron se për momentin është marrë një periudhë pauze, për të shpjeguar më mirë projektin e iniciuar prej tij.

“Ka një marrëveshje detyruese, por ne nuk mund të ndërmarrim aksione ligjore për momentin. Super Liga nuk është një kampionat i mbyllur, pasi mund të hyjë kushdo dhe nuk është e vërtetë që ne duam të vrasim ligat kombëtare. Megjithatë futbolli është përfshirë në krizë dhe rrezikojmë të mos arrijmë 2024-ën, nëse nuk gjejmë para. Për momentin kemi vendosur të marrim një pushim, për të shpjeguar më mirë projektin e Super Ligës, për të cilin punuam tre vite. Ndoshta e ilustruam keq, por ata nuk na dhanë kohë, pasi na sulmuan me një agresion të pabesueshëm”, u shpreh Perez.

Leave a Reply