Perëndimi vazhdon të furnizojë Ukrainën me armatim

by admin
Spread the love

Qeveria belge do të diskutojë dërgimin e armëve të rënda dhe materialeve ushtarake në Ukrainë për ta ndihmuar këtë vend në luftën me Rusinë.

Siç raportojnë mediat belge, anëtarët e qeverisë federale, në mbledhjen që do të kenë sot nën drejtimin e Kryeministrit Alexander De Croo, do të diskutojnë për dërgimin e ndihmave shtesë në Ukrainë.

Bëhet fjalë për dërgimin në Ukrainë të mjeteve të blinduara dhe artilerisë së rëndë, shkruan media belge.

Në shkurt të këtij viti Belgjika i dha Ukrainës 5 mijë armë automatike, 200 raketa antitank dhe 3 mijë e 800 tonë karburant.

Është raportuar se kjo ndihmë është dërguar nga inventari i ushtrisë belge dhe se ndihmat e reja nuk do të merren më nga inventari i ushtrisë.

Armët dhe materialet ushtarake që do të dërgohen tani e tutje në Ukrainë do të sigurohen përmes blerjeve të reja.

Kurse në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes së Norvegjisë, thuhet se në Ukrainë janë dërguar rreth 100 raketa të mbrojtjes ajrore “Mistral” të prodhimit francez.

Ministri i ri i Mbrojtjes i Norvegjisë, Bjorn Arild Gram deklaroi se raketa “Mistral” është një armë moderne dhe efektive që do t’i sjellë një dobi të madhe Ukrainës.

Sisteme të ngjashme armësh kanë dërguar në Ukrainë edhe vende të tjera, shtoi ministri norvegjez i Mbrojtjes.

Që nga fillimi i luftës, Norvegjia e ka furnizuar Ukrainën me 4.000 raketa antitank dhe pajisje të ndryshme ushtarake.

Në një videomesazh dërguar në fund të marsit Parlamentit të Norvegjisë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy kishte kërkuar nga Oslo raketa të mbrojtjes ajrore.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes (Pentagon) John Kirby deklaroi se vende të tjera i kanë dhënë avionë Ukrainës, kurse ShBA-ja e furnizon atë me pjesë avionësh.

Në konferencën e përditshme për shtyp, Kirby deklaroi se ata vazhdojnë të ofrojnë mbështetje me armë dhe pajisje për Ukrainën.

Kirby iu përgjigj pyetjeve në lidhje me kërkesën e Ukrainës për më shumë armë dhe armatim të avancuar.

“Ukrainasit tani kanë më shumë avionë se sa dy javë më parë. Kjo nuk është një rastësi. Kjo ndodh sepse ata mund të blejnë llojet e avionëve që njohin”,- tha zëdhënësi i Pentagonit.

Kur u pyet nëse vendet e tjera ofrojnë avionë shtesë për Ukrainën, Kirby u përgjigj si më poshtë:

“Pa hyrë në detaje, mund të them se kombet e tjera u dhanë atyre platforma shtesë. Kështu ata e kanë rritur flotën ajrore. Ata gjithashtu morën platforma dhe pjesë këmbimi në sasi të kufizuara. Me fjalën platformë nënkuptoj aeroplanët. Kështu ata blenë më shumë avionë dhe morën pjesë për të mbajtur më shumë avionë në ajër”.

Kirby tha gjithashtu se ShBA-ja nuk i ka dhënë Ukrainës avionë, por e furnizon atë me pjesë ndërrimi për avionë.

 

You may also like