Pema e lirisë po rritet, por frutat nuk po i piqen

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Tani në kohën kur trysnia ndaj kreut të Kosovës do ta shkrinte edhe hekurin, opozita në vend se ta tejkalojë mendësinë partiake dhe personale, ajo kësaj trysnie po ia shton edhe përpjekjet për ta lodhur edhe më shumë kreun e qeverisë me shpresë se sa më shumë të gabojë ai, aksionet e votave në bursën e çmendisë së tyre do të rriten, duke harruar të gjorët se për sa i përket çështjes së Asociacionit, nëse humb kreu i saj, para se gjithash humb dhe dobësohet vetë Kosova.

Shkruan: Iljasa SALIHU, Shkup

Njeriu për 24 orë ka mundësi t’i ndryshojë disa mendime e të mos flasim për 24 vjet. Ai, përgjatë 24 vjetëve, do të përjetojë ndryshime të mëdha dhe, për rrjedhojë, gjithë këto ndryshime do të shoqërohen me mendime më të thella, me vendime më të pjekura dhe me veprime më të arsyeshme. Mirëpo, si në çdo rregull që ka përjashtim, vetëm Serbia ende nuk është në gjendje ta kuptojë se ka 24 vjet që e humbi atë që kurrë nuk ishte e saj dhe, për rrjedhojë, nuk mund ta quajmë as humbje, por përmirësim të një padrejtësie historike. Ajo qysh prej vitit 1912 nuk përtoi dhe nuk ndaloi t’i përdorë gjitha mjetet e propagandës dhe të dhunës vetëm e vetëm për ta mbajtur dhunshëm Kosovën nën thundrën e saj, mirëpo ajo që nuk të përket as me dhurim lulesh nuk mund ta mbash, e lëre më përmes shkaktimit të plojës ose gjakderdhjes. Ajo u përket qytetarëve të saj, shqiptarëve dhe atyre që nuk janë shqiptarë, por që vullnetshëm kanë vendosur të jetojnë nën ombrellën e shtetit të Kosovës.

S’do mend se për t’i treguar pushtuesit se ishte pushtues nuk mjaftuan dëshirat, as kërkesat, as ankesat, as fjalët e drejta, por fillimisht ngritja e vetëdijes për një gjendje të katandisur keq, lartësimi i fitilit të guximit, gatishmëria për t’u flijuar, rropatjet nga më të ndryshmet dhe veprimet konkrete që filluan t’ia prishnin qetësinë prishësve të qetësisë së atyre që rronin në tokat e veta. Kësisoj, pas kryengritjes së brezave të tërë, kuptohet duke mos i anashkaluar si pengues të mëdhenj edhe shërbëtorët në krah të pushtuesve, pas përpjekjeve paqësore politike për pavarësi dhe pas përkrahjes ndërkombëtare në betejën kur baca Adem me familje dhe me shokë ia tërhoqi këmbëzën pushkës kundër atyre që me fjalë nuk merrnin vesh dhe të cilët ndjenjën e njerëzisë e kishin bërë përshesh, pema e lirisë filloi lirshëm t’i shfaqë bulëzat e para në kopshtin e Kosovës për t’u gjelbëruar kështu në verën e vitit 1999.

Tanimë Kosova i ka 24 vjet si e çliruar prej thundrës serbe, 15 vjet si shtet i pavarur dhe 2 vjet si e qeverisur nga një kryeministër që vlerëson se, pas çlirimit të Kosovës nga këmba serbe, Kosova tanimë duhet të çlirohet jo nga krahu i luftës, por nga dora e korrupsionit dhe një thes përpjekjesh për t’u ndërtuar, për t’u shtrirë me sovranitet, për t’u çliruar prej krimit ekonomik, për t’i hormonizuar urdhërat e bashkësisë ndërkombëtare me moscenimin e pavarësisë dhe kushtetutës së Kosovës, për t’u marr vesh me ish pushtuesin, që siç po shihet edhe pas kaq vitesh nuk e ka ndërmend ta kuptojë realitetin dhe të drejtën, prej të cilave nëse do t’i kuptonte do të kishte edhe vet dobi dhe ajo që vazhdon të jetë tejet paradoksale, vijojnë të jenë interesat partiake mbi interesat shtetërore, gjë që po e bën Kosovën të çalojë. Tani, në kohën kur trysnia ndaj kreut të Kosovës do ta shkrinte edhe hekurin, opozita në vend se ta tejkalojë mendësinë partiake dhe personale, ajo kësaj trysnie po ia shton edhe përpjekjet për ta lodhur edhe më shumë kreun e qeverisë, me shpresë se sa më shumë të gabojë ai, aksionet e votave në bursën e çmendisë së tyre do të rriten, duke harruar të gjorët se për sa i përket çështjes së Asociacionit, nëse humb kreu i saj, para se gjithash humb dhe dobësohet vetë Kosova.

Është e vërtetë se Kosova nuk arriti të çlirohet ushtarakisht vet, siç është rasti me Kroacinë. Diku 20 mijë ushtarë kishin luftuar drejtpërdrejt kundër pushtuesit, që në përqindje i bie se vetëm 1 për qind kanë guxuar t’ia kthejnë pushkën armikut, edhe pse si pjesë të luftës nuk mund t’i mohojmë qytetarët shqiptarë të paarmatosur, vuajtjet e tyre dhe viktimizimin e tyre, që së bashku me pushkët e çlirimtarëve arritën të prekin në ndërgjegjen ndërkombëtare. Sidoqoftë, pamundësia për t’u çliruar vet, e vuri shtetndërtimin e Kosovës në një rrugë shumë të vështirë. Mision pas misioni ndërkombëtar, rezolutë pas rezolute, mbyllja e syve karshi problemit real në pjesën veriore të Mitrovicës, mbyllje kjo që sot e kësaj dite po shihet që nuk është bërë rastësisht, ku përmes kësaj pjese qëllimisht të pazgjidhur, secilit kryeministër po i tërhiqen frerët sa herë që ndonjëri prej tyre dëshiron ta shtrijë sovranitetin ashtu siç i ka hije një shtetit të pavarur. Kësodore, Kosova nuk është punë ta bëjë një hap përpara dhe, në anën tjetër, të mos kushtëzohet me një kompromis herë shumë të dhimbshëm e herë më pak të dhimbshëm. Plani i Ahtisarit ishte një kompromis që, përpos se i jepte kishave territore të veçanta dhe pakicës serbe aq shumë të drejta, saqë nënkuptueshëm krijohej një padrejtësi dhe pabarazi për etnitetet tjera, ai plan si shtojcë në vete ngërthente edhe krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, temë kjo tepër e nxehtë dhe sfiduese së fundmi.

Marrëveshjet ndërkombëtare tashmë janë nënshkruar, qoftë mbi baza të vullnetit të palëve ose qoftë përmes ndonjë forme tjetër, ato tashmë janë nënshkruar dhe deri më tani askush juridikisht nuk i ka shfuqizuar. Po ashtu, faktori ndërkombëtar kërkon të zbatohen, edhe pse faktori vendor qeveritar vlerëson se posaçërisht Asociacioni është i dëmshëm për Kosovën, mbase është si ai kunxhi i Nastradinit, ku si rrjedhojë e pronësisë së një kunxhi në një shtëpi të huaj, ai hynte e dilte si të ishte shtëpia e tij, që me kalimin e kohës krijonte dukshëm probleme. Përse të ketë nevojë për një Asociacion? Për çfarë po e kërkojnë, kur dihet botërisht se të drejtat që i gëzojnë serbët e Kosovës, as shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, që janë mbi 25 për qind, nuk i kanë, ndonëse të mos harrojmë se për këto të drejta edhe një luftë të armatosur e kanë bërë, por sërish ngelen shumë më ulët me të drejta krahasur me të drejtat e serbëve të Kosovës, e të mos flasim se sa të drejta kanë shqiptarët e Luginës së Preshevës. Atje është mjerim. Përkundër thirrjes së kryetarit të atjeshëm se Lugina po shndërrohen në një Çamëri të dytë, veshët e shurdhër vazhdojnë gjumin e tyre në batanijet e leshta. Deri më tani kreu i Kosovës është duke qëndruar dinjitetshëm, mirëpo trysnia ndërkombëtare është rritur dhe për ditë po rritet. Disi ngjashëm me dukurinë e tërmeteve, që pasi nën sipërfaqen e tokës të rritet shumë energjia e grumbulluar, atëherë asaj i duhet një çlirim, i cili pastaj shkakton krijimin e valëve sizmike ose të dallgëve sizmike.

A do të çlirohen ata prej përçudnimeve, që përmes kësaj synojnë ta joshin kreun e Serbisë, që ai sa më parë të shkëputet prej Rusisë apo se kush do të fitojë, fuqia apo e drejta? Në lidhje me këto hipoteza, deri më tani është parë se në shtetet e vogla, të dobëta ekonomikisht dhe ushtarakisht, fuqia ka mbizotëruar krahas të drejtës ose, shprehur simbolikisht, kur ndërkombëtarët kanë parë se ndërtesa që e përballon tërmetin me magnitudë 8.1 sipas shkallës së Rihterit, atëherë ata e shkaktojnë një tërmet me magnitudë 9.1 sipas shkallë së Rihterit! Megjithatë, pas kësaj është dëshmuar se është mbyllur një derë e një problemi për t’u hapur pastaj një portë e problemeve tjera, për të cilat pikërisht Kosova dhe pikërisht në këtë kohë Kosovës dhe aleatëve të saj parimisht nuk u duhen.

Sidoqoftë, urime 15 vjetori i pavarësisë dhe në përvjetorët e radhës urofshim duke qenë njëmend dhe plotësisht të pavarur!

You may also like