PEKIN – BE i kërkon Kinës të ndihmojë në zgjidhjen e konfliktit Rusi-Ukrainë

by admin
Spread the love

PEKIN, 1 dhjetor /ATSH-DPA/-Bashkimi Evropian i ka kërkuar sërish Kinës që të përdorë ndikimin e saj për të ndihmuar në përfundimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, deklaroi presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel pas bisedimeve me presidentin kinez, Xi Jinping në Pekin.

“Efektet e përhapura të krizës duhet të kontrollohen dhe gjithashtu bisedimet e paqes mbeten ende te nevojshme”, tha Xi.

“Kina dëshiron të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv sipas mënyrës së vet”, u citua të ketë thënë ai.

Sipas burimeve evropiane, Xi dhe Michel theksuan se kërcënimet bërthamore janë të papërgjegjshme dhe shumë të rrezikshme.

Michel nga ana e tij tha se Kina kishte një përgjegjësi të veçantë për të ndihmuar në zgjidhjen e konfliktit.

“Ne i drejtohemi Kinës për t’u përpjekur ta bindë Rusinë të respektojë Kartën e OKB-së dhe të respektojë sovranitetin e Ukrainës”, tha ai.

Deri më tani, Kina nuk e ka kritikuar pushtimin rus të Ukrainës, por ka mbështetur presidentin Vladimir Putin. Edhe pse ka pasur shenja se Pekini po zbut mbështetjen e tij për Kremlinin, lidhjet diplomatike midis dy vendeve vazhdojnë të jenë të forta.

Nga ana tjetër, lidhjet e tensionuara Kinë-BE pritej të ishin një pjesë kyçe e bisedimeve në Pekin.

Marrëdhëniet dypalëshe janë përkeqësuar ndjeshëm kohët e fundit, pjesërisht në sfondin e luftës në Ukrainë, por edhe për shkak të kërcënimeve të Kinës kundër Tajvanit, shkeljeve të të drejtave të njeriut, persekutimit të pakicave si në Xinjiang ose Tibet, dhe sanksioneve kineze kundër politikanëve të BE-së.

Xi tha se Pekini kundërshton të gjitha format e ‘Luftës së re të Ftohtë’, raportoi TV shtetëror. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like