PDK: Vetëvendosje po e bojkoton Projektligjin për pensionet e zyrtarëve policorë

by admin
Spread the love

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu dhe Rashit Qalaj, përmes një konference për media kanë akuzuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje për dështimin e Projektligjit për Pensionet e Zyrtarëve Policorë në Komisionin për Çështje të  Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Musliu tha bojkotimi i këtij projektligji nga ana e partisë në pushtet po ndodh sepse këtë projektligj e ka hartuar Partia Demokratike e Kosovës.

“Sot përmes kësaj konference kemi dalë që ta shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me dështimin tri herë radhazi të Komisionit për Çështje të  Sigurisë dhe Mbrojtjes,  për të proceduar me Projektligjin Nr.08/L-160 që  rregullon Pensionet e Zyrtarëve Policorë të Policisë së Kosovës dhe Punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore.  Që nga 17 Nëntori 2022, me bojkotimin e Lëvizjes Vetëvendosje në tri mbledhje radhazi është pamundësuar kuorumi që të votohet në parim ky projektligj dhe ti dërgohet seancës. Ky bojkotim i partisë në pushtet erdhi vetëm nga inati se këtë projektligj për Policinë e Kosovës e ka hartuar Partia Demokratike e Kosovës”, tha ajo.

Ajo njoftoi se me këtë projektligj janë propozuar katër lloje  të pensioneve : i rregullt, invalidor, familjar dhe vullnetar.

“Përmes tij, do të rregullohen  dhe  përcaktohen  kushtet  dhe  kriteret  për  garantimin e pensioneve, llojet e pensioneve, si dhe përcakton kategorizimin e pensioneve për pensionin për zyrtarët policor të Policisë  së Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit  Policor të Kosovës me autorizime policore  dhe familjarët e tyre. Me këtë Projektligj janë propozuar katër lloje  të pensioneve dhe atë: Pensioni i rregullt, invalidor, familjar dhe vullnetar”, tha ajo.

PDK i ka bërë thirrje Qeverisë Kurti dhe deputetëve të Vetëvendosjes që t’i lënë anash inatet politike dhe ta mbështesin miratimin e këtij projektligji në Kuvendin e Kosovës.

“Kurajo dhe angazhimi që ata kanë treguar së fundmi është tregues i qartë se ne kemi zyrtarë të gatshëm për të garantuar funksionimin e shtetit ligjor në tërë territorin tonë. Por, gjithçka që u duhet është mbështetja e parezervë e Qeverisë së Kosovës ndaj tyre. Mosplotësimi i tërësishëm i nevojave dhe kërkesave të Policisë së Kosovës deri më tani është shqetësues. Ne kërkojmë që urgjentisht dhe pa vonesa, Qeveria të siguroj gjithçka që duhet, që policët tanë të kenë kushtet e nevojshme për të zbatuar rendin dhe ligjin në pjesën veriore të Kosovës”, theksoi Musliu.

Ndërkaq, deputeti Rashit Qalaj tha se PDK do të insistojë që ky projekligj të kalojë.

“Ky ligj t’i mundësojë Policisë së Kosovë që t’i rris kapacitetet operacionale të saj gjithmonë duke pasur në konsideratë që policët e Kosovës që janë në moshë të shtyer dhe ata me sëmundje të rënda të dalin sa më shpejtë në pension, ta kenë një pension të dinjitetshëm dhe gradualisht me pensionimin e tyre të rekrutohen gjenerata të reja të kadetëve policorë në Policinë e Kosovës”, tha Qalaj.

Po ashtu, PDK kërkon që Qeveria të mendojë urgjentisht për sigurimin jetësor dhe sigurimin shëndetësor të Policisë së Kosovës.

“Përvec Ligjit për Pensionim të Parakohshëm të mendojë urgjentisht për sigurimin jetësor dhe sigurimin shëndetësor, gjithmonë duke pasur parasysh gjendjen që e kemi sot, angazhimin e Policisë sidomos në komunat veriore të vendit, angazhimin e tyre me orar të zgjatur dhe në kushte shumë të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e tyre”, theksoi Qalaj.

You may also like