Pa “gjuhën shqipe”, nuk do të votojmë për Kushtetutën

by admin
Spread the love

“Ne si lëvizje bëmë një kërkesë formale, por qëndrimi i përbashkët i opozitës shqiptare është që ndryshimet kushtetuese të përfshijnë edhe ndryshimin e formulimit të gjuhës shqipe nga ‘gjuha e folur nga 20 për qind e qytetarëve’ në ‘gjuha shqipe’. Qeveria nuk ndjen as më të voglën përgjegjësi për ta futur në procedurë…”, tha Kasami.

Përderisa nuk pranohet ndryshimi i formulimit “20 për qind” për gjuhën shqipe, deputetët e Lëvizjes BESA nuk do të votojnë për amendamentet kushtetuese. Kështu për Radio Evropa e Lirë thotë kryetari i BESËS, Bilall Kasami, ndërsa shton se opozita shqiptare po bashkohet dhe ka hapur dyert për partitë që do të kundërshtojnë BDI-në dhe për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, ai thotë se do të ketë një kandidat të përbashkët në frontin e opozitës, transmeton gazeta KOHA.

I pyetur për ndryshimet kushtetuese dhe pse BESA nuk ka marrë pjesë me kandidatin e saj në Grupin Punues për ndryshimet kushtetuese, Kasami tha se presin që Qeveria të jetë më e arsyeshme dhe se “përderisa qeveria nuk është e interesuar të dëgjojë zërin tonë, nuk do të votojmë ndryshimet kushtetuese”. “Qëndrimi ynë është i qartë”, thotë Kasami.

“Ne jemi pa mëdyshje pro ndryshimeve kushtetuese, sepse na e përshpejtojnë rrugën drejt BE-së. Por Qeveria tregoi edhe një herë se nuk është e interesuar të shtyjë përpara ndryshimet kushtetuese, sesa të jetë e interesuar të mbijetojë ditët e fundit dhe ta çojë mandatin deri në fund. Pse? Ne si lëvizje bëmë një kërkesë formale, por qëndrimi i përbashkët i opozitës shqiptare është që ndryshimet kushtetuese të përfshijnë edhe ndryshimin e formulimit të gjuhës shqipe nga ‘gjuha e folur nga 20 për qind e qytetarëve’ në ‘gjuha shqipe’. Qeveria nuk ndjen as më të voglën përgjegjësi për ta futur në procedurë pa pasur detyrimin për të siguruar votat tona në Parlament”, sqaroi Kasami.

Sipas tij, përderisa BDI dhe Aleanca për Shqiptarët nuk e shohin nevojën që ta hapin këtë çështje për të parë nëse ka apo jo kushte që, siç thotë ai, të dimë edhe me kë të bisedojmë në të ardhmen.

I pyetur nëse ishte në seancën gjyqësore më 15 shtator për pritjen e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Tetovë më 11 gusht, Kasami u përgjigj se nuk ishte, sepse nuk ishte këtu, por edhe se sipas tij, ishte më shumë procedurë e motivuar politikisht.

“Së pari sepse nuk kam qenë këtu, së dyti sepse vlerësoj që e gjithë procedura ka qenë e motivuar politikisht për faktin se BDI dhe Ali Ahmeti në pushtet ndjehen të kërcënuar nga e gjithë situata që është krijuar dhe ndikimet që kanë në sistemin juridik që kanë detyruar këto gjëra të ndodhin. Më shumë, sepse në pjesën e protokollit, Qeveria organizoi pritjen dhe të gjitha ato, por edhe në Tetovë të gjithë e dinë që në vende publike ishte flamuri kombëtar dhe flamuri i Republikës së Kosovës dhe në pritjen tek unë në Komunë. Pra, po, sa herë që Qeveria dëshiron të fillojë ndonjë procedurë gjyqësore, gjithmonë mund të gjejë diçka për të filluar ato procedura, por ne e vlerësojmë që sistemi juridik, gjyqësori, prokuroria kanë tema shumë më të rëndësishme sesa të merren me atë nëse kryetari i Komunës së Tetovës e pati ose jo flamurin”, thotë Kasami.

You may also like