Osmani niset për në Bruksel, nesër takon Stoltenbergun – Shqip

by admin
Spread the love

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është nisur për në Bruksel për vizitë zyrtare në selinë e NATO-s.

Sipas njoftimit të Presidencës, të enjten në orën 14:00, Osmani do të pritet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin do të realizojë takim bilateral.

“Pas përfundimit të takimit, Presidentja Osmani dhe Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg do t’i adresohen gazetarëve në një konferencë të përbashkët për media”, thuhet në njoftim, raporton Klankosova.tv.

Gjatë vizitës zyrtare në NATO, njoftimi thotë se Presidentja do të ketë takim edhe me Kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiralin Rob Bauer.

Presidentja do të realizojë takime edhe me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në NATO, Julianne Smith si dhe me përfaqësues të shteteve të tjera aleate.

“Përgjatë vizitës, Presidentja Osmani do të riafirmojë vendosmërinë e popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për avancimin e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, duke filluar me programin e Partneritetit për Paqe, forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit me aleatë, në veçanti për çështje të sigurisë, mirënjohjen e popullit të Kosovës për rolin dhe kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, si dhe përkushtimin për kontribut të përbashkët për paqe, stabilitet dhe siguri afatgjate në rajonin tonë”, u tha në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

You may also like