Osmani i shkruan KPK-së: Kërkesa për dekretimin e Isufajt, presion ndaj institucionit të Presidencës

by admin
Spread the love

Këshilli Prokurorial i Kosovës dje iu drejtua presidentes së vendit, Vjosa Osmani, me kërkesë për dekretimin e Blerim Isufajt në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

KPK-ja tha se kjo kërkesë është bërë duke marrë parasysh se janë shterur të gjitha rrugët ligjore që kanë rezultuar se procesi i rekrutimit, sipas tyre, për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit ka qenë i drejtë dhe legjitim.

“Andaj, duke vlerësuar lart angazhimin e Zyrës së Presidentes në tërë këtë proces dhe rolin e saj si garantuese e funksionimit të institucioneve të vendit, si dhe duke besuar në qëndrimin e përbashkët që të kemi institucione me funksionalitet të plotë, KPK-ja ka kërkuar që procesi i dekretimit të Kryeprokurorit të Shtetit të trajtohet me urgjencë dhe të sigurohet zbatimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e KPK-së, transmeton Klankosova.tv.

E kësaj letre i është përgjigjur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një shkresë të siguruar nga Klankosova.tv.

Në këtë letër, Osmani thotë të jetë njoftuar fillimisht përmes mediave për kërkesën e kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, rreth dekretimit të Isufajt.

Fillimisht, presidentja thotë se me KPK-në ka pasur në vazhdimësi raporte të mira bashkëpunuese brenda kompetencës kushtetuese. Por, thotë se kërkesa e fundit e Malokut “është presion që po tentohet të ushtrohet ndaj institucionit të Presidencës”.

“Në lidhje me kërkesën tuaj, me vendosmëri shpreh kundërshtimin tim ndaj presionit të papranueshëm dhe të paligjshëm që tentohet të ushtrohet mbi institucionin e Presidencës, lidhur me procesin e emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit. Këtë kundërshtim e ndërlidh me faktin se si Presidente kam qenë vazhdimisht e angazhuar në bashkëpunim me KPK-në, duke ju ofruar përgjigje lidhur me veprimet e mia që në tërësi janë bazuar në mbrojtjen e parimit themelor kushtetues të ndarjes së pushteteve dhe respektimit të pavarësisë së sistemit të drejtësisë”, thotë ndër të tjera letra e Presidentes drejtuar kryesuesit të KPK-së, Jetish Malokut, të cilën e ka siguruar Klankosova.tv.

Tutje, Osmani ia kujton Malokut një takim të zhvilluar më datë 4 tetor, 2022, ku thotë se e ka informuar të njëjtin se “do ta pres shterimin e të gjitha afateve kushtetuese dhe ligjore, në mënyrë që kandidatët që i janë nënshtruar procedurës së zhvilluar në KPK për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit të mund t’i adresojnë pretendimet e tyre në rrugë gjyqësore”.

Po ashtu, e para e vendit në këtë letër ia ka kujtuar Malokut se duhet të pritet shterimi i të gjitha rrugëve gjyqësore për adresimin e pretendimeve për parregullsi dhe paligjshmëri të procedurës së zhvilluar në KPK.

Pretendime të tilla, sipas Presidentes, janë ngritur publikisht nga vëzhguesit e pavarur vendorë e ndërkombëtarë që kanë mbikëqyrur procedurat në KPK.

Më tej, presidentja Osmani ka treguar se kryesuesi i KPK-së, pas takimit të 4 tetorit, 2022, i ka shkuar disa letra për të njëjtën çështje, për çka thotë se i ka kthyer përgjigje me shkrim më 10 tetor, 2022, ku thotë t’ia ketë paraqitur argumentet dhe sqarimet për këtë proces.

Ndër të tjera, në letrën e Osmanit drejtuar Malokut, thuhet se “Kushtetuta dhe ligjet përkatëse nuk vënë ndonjë afat kohor brenda të cilit Presidentja është e detyruar të marrë vendim lidhur me propozimin e KPK-së për Kryeprokuror të Shtetit”, por shton se megjithatë, “gjatë gjithë kësaj periudhe kohore jam përkushtuar maksimalisht për bashkëpunim me KPK-në në këtë proces”.

Por, për kërkesën e djeshme të Kryesuesit të KPK-së, Jetish Maloku, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, thotë se nuk ka bazë ligjore dhe ka pasaktësi në përshkrimin e fakteve.

“Në dritën e kësaj, me keqardhje më duhet të vë në pah se Kërkesa juaj e fundit e datës 05.04.2023 përpos që nuk ka bazë ligjore është edhe e pasaktë në përshkrimin e fakteve dhe paraqitjen e argumenteve. Për sa i përket bazës normative për paraqitjen e kërkesave të tilla nga ana e juaj, më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj se sipas neneve 84.17 dhe 109.7 të Kushtetutës, sikundër edhe nenit 7, paragrafit 1.3 të Ligjit për KPK-në, kompetenca e KPK-së në procesin e emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit përfundon në momentin e përmbylljes së procedurës dhe paraqitjes tek Presidentja të emrit të propozuar për Kryeprokuror të Shtetit”, thotë ndër të tjera letra e Osmanit drejtuar Malokut.

Po ashtu, Presidentja i thotë Malokut se në shkresën e djeshme ka informacione dhe argumente të pasakte, faktike dhe ligjore.

“Dua të besoj se ato janë bërë nga pakujdesia e jo për ndonjë arsye tjetër”, thotë Osmani.

Pasaktësitë, sipas kësaj letre të siguruar nga Klankosova.tv, kanë të bëjnë me “konstatimet e gabuara se ‘Gjykata Kushtetuese ka refuzuar kërkesat e kundërkandidatëve si të pabazuara’. Një konstatim i tillë është tërësisht i pasaktë, sepse Gjykata Kushtetuese me Aktvendimin K157/22 dhe K179/22 i ka shpallur ankesat kushtetuese të dy kundërkandidatëve si të papranueshme për shkak të mosshterimit të mjeteve juridike”. Kësisoj, thotë Presidenca, “Gjykata Kushtetuese ka argumentuar se kundërkandidatët duhet t’i drejtoheshin gjykatave të rregullta, para paraqitjes së kërkesave në Gjykatën Kushtetuese. Pra, Gjykata Kushtetuese nuk është marrë fare me meritat e kërkesave të tyre e as që i ka shpallur ato si të papranueshme dhe të pabazuara”.

Osmani thekson se nga pozicioni i saj kushtetues dhe me qëllim të garantimit të funksionimit kushtetues të institucioneve, “ju rikujtoj përkushtimin tim për të respektuar integritetin e sistemit gjyqësor dhe transparencën e vendimmarrjes së gjykatave”.

“Në këtë kuadër, shpreh kundërshtimin tim ndaj tendencës që përmes interpretimeve të shtrembëruara të vendimeve të gjykatave në lidhje me procedurën e zhvilluar në KPK, të tentohet të vihet në lajthitje opinioni publik dhe institucioni i Presidencës”, potencon Osmani në këtë letër.

Në fund, presidentja Osmani i thotë Kryesuesit të KPK-së se “si Presidente e Republikës së Kosovës do të pres shterimin e të gjitha afateve kushtetuese dhe ligjore që kundërkandidatët e pakënaqur kanë në dispozicion për t’i adresuar pretendimet e tyre për parregullsi dhe shkelje në procedurën e zhvilluar në KPK para të gjitha gjykatave”.

“Vetëm pas shterimit të këtyre afateve, do të ndërmarr veprimet e duhura lidhur me propozimin e KPK-së për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit”, ka potencuar Osmani në letrën dërguar Jetish Malokut, kryesues i KPK-së. /Klankosova.tv

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS

vjosa osmani kpk

vjosa osmani kpk

vjosa osmani kpk

You may also like