Opozita e zhgënjyer: Mungesa e specializantëve rrezikon marrjen e shërbimeve, s’ka menaxhim

by admin
Spread the love

Deputetë të partive opozitare po shprehen të zhgënjyer me situatën në
sektorin e shëndetësisë, duke përmendur ikjen e mjekëve, mungesën e barnave e
listën e gjatë të pritjes për trajtim.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu tha se në dy
vjetët fundit është vërejtur përkeqësim në këtë sektorë, duke përmendur edhe
largimin e mjekëve nga sektori publik në atë privat.

Sipas tij, janë më shumë se 1 400 pacientë që presin për një procedurë
diagnostikuese në Kardiologji.

“Kemi një përkeqësim të situatës në shëndetësi në veçanti në dy vjetët
e fundit. Kjo vjen edhe si pasojë e ikjes së anesteziologëve dhe mjekëve nga
Kosova dhe nga sektori publik në atë privat”.

“Listat e gjata të pritjes së pacientëve po rriten. Lista e pritjes në Kardiologji
është më shumë se një vjet dhe janë më shumë se 1 400 pacientë që presin për
një procedurë diagnostifikuese”.

Ai shtoi se mungesa e specializantëve do të rrezikojë marrjen e shërbimeve
në sektorin publik.

Sa i përket ministrit të Shëndetësisë Rifat Latifi, Haxhiu tha se të gjitha
kompetencat ia ka marrë kryeministri Albin Kurti, pas themelimit të Këshillit
Ekzekutiv për shëndetësinë.  

“Mungesa e specialistëve të mjekësisë do të rrezikon marrjen e
shërbimeve më sektorin publik. Dhe di të kemi kolaps në sektorin e shëndetësisë
për shkak të mos veprimit të qeverise për të stimuluar profesionistë që të
qëndrojnë në Kosovë. Ai mund të mos japë dorëheqje por kompetencat ia ka marrë
kryeministri”.

“Dy njerëz në sektorë të shëndetësisë nuk janë të gatshëm të përgjigjen për
problemet në shëndetësi. Ata e kanë një përgjigje durimin por pacientët nuk po
presin dhe nuk mund të durojnë për nevojat që i kanë. Është njëfarë dështimi në
sektorë të shëndetësisë”, tha Haxhiu.

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj tha se sektori i shëndetësisë po
përballet me probleme të shumta.

AI shton se vendi po ballafaqohet me dështim menaxherial në këtë sektor,
raporton EO.

“Mendoj që shëndetësia nuk ka qenë më keq sesa që është tash. Kemi
bëjmë me mungesa të shumta duke filluar nga lista esenciale, lista e pritjes
pastaj ikja e mjekëve dhe njëkohësisht nga mungesa e një menaxhmenti efikas.
Pra ballafaqohemi me një dështim menaxherial edhe krijimin e komisioneve të
reja të cilat realisht vështirë që mund të presim që do të rezultojë me ndonjë
të mirë. Jemi në një krizë e cila duhet të konsiderohet në mënyrë serioze”.

Dreshaj tha se kryeministri Kurti duhet të veprojë në drejtim të rritjes se
efikasitetit në menaxhimin për shëndetësi.

“Përgjegjësitë menaxheriale duhet të adresohen. Në këtë drejtim duhet
të reflektojë qeveria dhe t’i ndalë dukuritë negative te cilat i kemi në vend.
Prandaj mendoj që kryeministri Kurti duhet të veprojë në drejtim të rritjes se
efikasitetit në menaxhimin për shëndetësi. Performancën e tij duhet ta
vlerësojë ai që e ka emëruar atë si ministër”, tha Dreshaj.

You may also like