Nuk ka surpriza në “Giuseppe Meazza”, Interi bën detyrën ndaj Sampdorias

by admin
Spread the love

Interi nuk gabon dhe bën detyrën ndaj Sampdorias duke fituar me rezultatin e pastër 3-0. Zikaltrit dominojnë totalisht ndeshjen në “Giuseppe Meazza” dhe regjistrojnë fitoren e katër radhazi falë golavë të De Vrij, Barella dhe Correas.

Ndeshja nisë qetë nga të dyja ekipet me të besuarit e Inzaghit që nisin presionin me kalimin e minutave. Ekuilibrat prishen pas 21 minutash lojë nga mbrojtësi holandez Stefan De Vrij. Ky i fundit ngrihet më lartë nga të gjithë në zonë pas krosimit të Calhanoglu dhe me një goditje me kokë mposht portierin Audero.

Ndeshja shkon në rrjedhën e duhur për Interin që vihet menjëherë në kërkim të golit të dytë. Është Dimarco që jep një tjetër shkëndijë, por dyfishimi vjen nga Nicolo Barella. Një pasim perfekt nga Alessandro Bastoni nxjerr Barrelën të vetëm përballë portierit dhe me një goditje të fortë mesfushori italian i çon shifrat në 2-0.

Me këtë rezultat mbyllet edhe pjesa e parë, ndërsa Sampdoria është e pafuqishme dhe nuk arrinë asnjë moment të godasë në kuadratin e Onanas. Edhe në pjesën e dytë panorama është e njëjtë. Zikaltrit luajnë në sulm dhe kanë të tjera shanse për të thelluar rezultatin me Lautaro Martinez, Edin Dzeko dhe Milan Skirinar.

Megjithatë, goli i tretë që vulos edhe rezultatin vjen nga Joaquin Correa pak pasi hidhet në fushën e lojës nga Inzaghi. Sulmuesi argjentinas me një aksion personal fiton terren dhe goditja e tij në afërsi të zonës  përfundon në trekëndësh.

Provon edhe Sampdoria që të shënojë të paktën një gol nderi në këtë takim, por Onana është i vëmendshëm e mban portën të paprekur. Në fund janë tre gola për tre pikë të plota për Interin që vazhdon të konfirmojë formën e mirë të ekipit pas atij starti të dobët sezoni. Me këtë triumf zikatrit ngjiten po në kuotën e 25 pikëve dhe marrin provizorisht vendin e pestë në pritje që kundërshtarët të luajnë ndeshjet e tyre. Sampdoria nga ana tjetër qëndron në kuotën e 6 pikëve pas 12 javësh të luajtura. /oversport.tv

Foto: Inter, Twitter

You may also like