Njoftim i IKSHPK-së rreth rasteve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF në Han të Elezit

by admin
Spread the love

Pas marrjes së informatës nga drejtoresha e DSHMS të Hanit të Elezit se nga nata e mbrëmshme mbi 100 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF të Hanit të Elezit, ekipa e Qendrës Rajonale të Shëndetësisë Publike ka dalë në terren dhe është informuar se pjesa dërmuese e këtyre personave janë nga fshati Gorancë dhe pjesa tjetër nga fshatrat Glloboçicë dhe Seqishtë.

Personat që janë paraqitur kanë simpotmat e njëjta: barkqitje, vjellje, temperaturë.

Dyshimet e drejtoreshës së DSHMS dhe asaj të QKMF bazohen në faktin se dukshëm është shtuar numri i personave që kërkojnë ndihmë mjekësore nga fshati Gorancë që nga data 28 qershor kur edhe është lëshuar në përdorim edhe një burim i ri i ujit të pijshëm për të cilin dyshohet se është i kontaminuar. Ky burim së bashku me atë paraprak derdhen në të njëjtin rezervoar. Pjesa tjetër e banorëve të fshatit Seqishtë furnizohen me ujë nga burimi i Glloboçicës.

Ekipet në terren janë informuar se burimi i fshatit Gorancë nuk monitorohet nga KRU-Bifurkacioni, ndërsa ai i Glloboçicës po.

Mostrat e ujit të marra gjatë ditës së sotme për analizë fiziko-kimike përveç turbullirës në dy raste rezultojnë brenda parametrave normalë.

Janë marrë, po ashtu, mostrat e ujit edhe për analizë bakterore, ndërsa ekipi i Epidemiologjisë së bashku me ekipen e DSHMS të Hanit të Elezit janë në terren duke anketuar personat të cilët janë paraqitur në QKMF.

Në momentin që IKSHPK i ka rezultatet e para, publiku do të informohet në kohë reale.

REKOMANDIM

Uji që përdoret për pije dhe ushqim të vlohet para përdorimit dhe të mos ndërpritet furnizimi për shkak që mund të përdoret për nevoja të tjera teknike.

You may also like