Njerëzit po kalojnë më pak kohë në Facebook

by admin
Spread the love
Takimi i BuzzFeed para disa ditësh pati në fokus një temë të vazhdueshme në fushën e teknologjisë: konsumatorët po largohen nga Facebook-u i kompanisë Meta

 

“Në këtë pikë të tremujorit, ne vazhdojmë të shohim se përdoruesit po shpenzojnë më pak kohë në Facebook” – tha në fjalën e saj, shefja e financave të BuzzFeed, Felicia DellaFortuna.

Deklarata vjen pasi Meta raportoi se numri i përdoruesve aktivë të Facebook pati një rënie gjatë këtij tremujori, duke arritur në 1.93 miliardë. Kjo shënon rënien e parë të përdoruesve aktivë të Facebook në një tremujor.

Rënia prej rreth 500,000 përdoruesish mund të nënkuptojë se Facebook e ka konsumuar produktin e tij globalisht dhe aftësia për të shtuar numrin e përdoruesve ka arritur kulmin e vet. Aplikacioni kryesor i kompanisë Meta, Facebook, është nën presion për të qenë në të njëjtin nivel me konkurrentët, duke përfshirë vetë Instagram, që është pjesë e kompanisë Meta, dhe TikTok, i cili ka pasur një rritje të shpejtë dhe ofron veçorinë e videove të shkurtra.

Kompania ka krijuar opsionin e saj të videove të shkurtra, të quajtur Reels, në një përpjekje për ta mbajtur audiencën sa më të angazhuar.

“Njerëzit kanë shumë zgjedhje për mënyrën se si duan ta kalojnë kohën dhe aplikacionet si TikTok kanë pasur rritje shumë të shpejtë – tha drejtuesi i Meta, Mark Zuckerberg, në takimin e kompanisë me investitorët në muajin e kaluar. – Kjo është arsyeja pse fokusi ynë tek opsioni i Reels është kaq i rëndësishëm në planin afatgjatë”.

“Si rezultat i konkurrencës dhe i zhvendosjes së përdoruesve drejt videove të shkurtra, si dhe i fokusit tonë më të madh në ofrimin e shërbimit ndaj të rinjve në moshë madhore, duke përmirësuar angazhimin e përgjithshëm, do të vijojmë të shohim njëfarë presioni në rritjen e shikueshmërisë në afat të shkurtër” – shtoi Zuckerberg.

BuzzFeed, i cili është fokusuar shumë në segmentin e tregtisë, tha se pjesa më e madhe e trafikut të publikut në përmbajtjen e blerjeve ka ardhur nga Facebook. Por “zhvendosja e kohës së përdoruesve larg” nga aplikacioni ka “ndikuar në mënyrë disproporcionale” te të ardhurat nga tregtia, tha DellaFortuna.

Duke pritur me padurim rezultatet e tremujorit të parë, DellaFortuna tha se pret që kjo tendencë do të vazhdojë. “Ne jemi duke shfrytëzuar rrjetin tonë të shpërndarjes në platforma të ndryshme për të zgjeruar biznesin tonë tregtar në platformat me rritje më të shpejtë, duke reduktuar në këtë mënyrë varësinë nga secila platformë më vete gjatë dy viteve të ardhshme” – tha DellaFortuna.

Kompania e mediave dixhitale raportoi të ardhura neto prej 26 milionë dollarësh vitin e kaluar, nga 398 milionë dollarë të ardhura totale, duke regjistruar një rritje të të ardhurave prej 24% nga viti i kaluar. Ajo njoftoi planet e reja për të “rritur fitimet”, duke përfshirë uljen e konsiderueshme të numrit të punonjësve. / CNBC

You may also like