Një nga serbët e vrarë në Banjska, truproja e Vulinit – Shqip

by admin
Spread the love

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur informacione të reja për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri, në fundjavë, në Banjskë të Zveçanit.

“Dje përmes një videoinçizimi dëshmuam praninë e kriminelit kryesor dhe udhëheqësit të aksionit terrorist, Milan Radojiçiç. Ndërkohë sot u konfirmua se njëri nga të vrarët që ka marrë pjesë edhe ai në atë akt është Bojan Mijailoviç, truproja i shefit të BIA-s së Serbisë, Aleksandar Vulin, gjatë vizitës së tij në Republikën e Kosovës në vitin 2013”, thuhet në njoftimin e Sveçlës.

Ministri përsëriti qëndrimin e tij se Serbia ishte e përfshirë drejtpërdrejt në sulm.

“Shteti i Serbisë është dora udhëheqëse e përfshirë në këtë sulm terrorist që synon destabilizimin e Republikës së Kosovës. Për këtë, tashmë ekziston një lidhje formale dhe strukturore mes përfshirjes së Aleksandër Vuçiçit në sulmin e 24 shtatorit në Banjska, Milan Radojiçiçit, si nënkryetar i Listës Serbe, si dhe truprojës së Aleksandër Vulinit, kreut të BIA-s. Të dy janë të sanksionuar dhe në listën e zezë amerikane. Këta dy janë njerëzit më të afërt të presidentit serb”, shton Sveçla.

Ai thekson se kjo është dëshmi se Serbia nuk ka ndryshuar që nga vitet 1990.

“Këto fakte janë edhe një dëshmi se qëllimet e Serbisë ndaj Republikës së Kosovës nuk kanë ndryshuar fare që nga koha e regjimit të Millosheviçit, ku ish-ministër i propagandës së atij regjimi është tani president i regjimit aktual në Serbi. Edhe optimistët më të mëdhenj që kanë gënjyer veten për ndryshimet në këtë vend, këto ditë janë të bindur për të kundërtën”, përfundoi Sveçla. /tesheshi.com/

You may also like