Një iftar i përbashkët në Resnjë – Shqip

by admin
Spread the love

Sadije Aliti

“Sofra e Ramazanit” këtë herë në Resnjë. Një mjedis festiv i organizuar bukur nga njerëzit me zemër bujare, një mikëpritje e ngrohtë shqiptare buzë valëve të Liqenit të Prespës. Mbrëmje me aromë iftari, çdo gjë ishte e përgatitur me kohë që pas çeljes së iftarit mos të mungojë asgjë. Derisa të gjithë ishin zhytur në botën e iftarit, vërehej buzëqeshje në fytyrat e të pranishmëve, po më të gëzuar ishin fëmijët, sikur thonin sa mirë që jemi bashkë, nuk na keni harruar neve këtu në këtë anë, sa kënaqësi ndejmë së bashku.

Tradita e sofrave të Ramazanit vazhdoi edhe këtë vit, kësaj rradhe u organizua nga OH El Hilal degët në Resnjë e Manastir në bashkëpunim me Shoqatën Joqeveritare “22 Nëntori” nga Manastiri. OH El Hilal edhe këtë Ramazan kontribuoi për sjelljen e gëzimit dhe të atmosferës së iftarit në shumë familje e shtëpi, duke zhvilluar ndjenjën humanitare për bamirësi. OH “El-Hilal” edhe këtë herë me aktivitetin e zakonshëm programor për muajin e agjërimit, me shtrimin e sofrave të iftarit për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve, të cilët për shkaqe financiare nuk mund t’i shijojnë të gjitha begatitë e këtij muaji të bekuar.

Nën moton “Sofrat e Ramazanit na bashkojnë” në Resnjë u shtrua iftar për këtë muaj të bekuar të Ramazanit, ku prezent ishin rreth njëqind të pranishëm, në mesin e të cilëve edhe një pjesë anëtarëve të familjeve nevojtare, gratë kryefamiljare pa bashkëshort me fëmijët e tyre si dhe burra kryefamiljar pa bashkëshorte me fëmijët e tyre dhe një kategori e familjeve skamore, qytetarët me gjendje jo të mirë financiare, aktivist e donator së bashku për të shijuar një iftar të begatë e të organizuar.

Në këtë iftar përveç nikoqirëve, kryetari Genc Sedaliu nga dega e Prespës, Mazar Klenja nga dega e Manastirit morri pjesë edhe kryetari i organizatës, dr.Behixhudin Shehapi, dhe kryetarja e Shoqatës Joqeveritare “22 Nëntori” nga Manastiri, Sibela Alimovska. Në këtë aktivitet tradicional që zgjat vite me radhë, morrën pjesë edhe aktivistë të OH “El-Hilal”-it, nga Degët në Strugë, Gostivar, Tetovë, Mansatir, Resnjë.

“Ju shprehim faleminderime të përzemërta për këtë organizim, për këtë iftar kaq bujar, ju faleminderit që na bëtë pjesë të këtij organizimi që edhe nga Manastiri të ndjejmë ngrohtësinë e solidaritetit dhe bamirësisë për njerëzi që kanë nevojë”-theksoi Sibela Alimovska në fjalën e saj përshëndetëse.

Kryetari Behixhudin Shehapi me këtë rast, edhe një herë theksoi rëndësinë e iftareve të përbashkëta dhe dobitë shumëdimensionale që dalin prej tyre dhe agjërimit në përgjithësi. Behixhudin Shehapi, foli për rëndësinë e iftareve traficionale që një kohë të gjatë organizohen gjatë muajit të Ramazanit si një formë e pakapërcyeshme e aktivitetit gjatë këtij muaji të bereqetit, të bashkimit dhe të solidaritetit. Ai gjithashtu theksoi se deri në fund të Ramazanit mbështetës të këtyre iftareve janë disa afaristë bamirës miq të organizatës. Për fëmijët e pranishëm u ndanë edhe batanije nga një donator nga Tetova, iftari u shtrua nga një donator nga Shkupi, që duan të mbeten anonim.

Organizimet e këtilla kanë për qëllim të manifestojnë solidaritetin dhe humanitetin ndërmjet njerëzve, duke përfshirë kategoritë e ndryshme të nevojtarëve një shembull i papërsëritshëm njerëzor për bamirësi dhe harmoni mbarë njerëzore. /tvklan.mk/

You may also like