Nis kampionati U-16 për vajza, Riza: Janë krijuar tre ekipe të reja, ja risitë e edicionit të ri

by admin
Spread the love

Kampionati Kombëtar i futbollit për vajza U-16 do të ngrejë siparin e edicionit të dytë në fund të kësaj jave. Një kampionat, që nuk është më risi, pas organizimit e përfundimit me sukses të sezonit të parë futbollistik, ku kampione u shpall Vllaznia. Edicioni i dytë i kampionatit U-16 për vajza vjen falë bashkëpunimit të shkëlqyer të FSHF-së, me klubet e futbollit në Shqipëri, por edhe me shkollat 9-vjeçare, nga ku dalin edhe talentet e reja që bëhen pjesë e ekipeve të këtij kampionati.

Për të folur më shumë rreth këtij sezoni të dytë të kampionatit U-16 për vajza, Përgjegjësi i Sektorit të Futbollit të Femrave në FSHF, Florian Riza shpjegon më tepër për fshf.org se si do të funksionojë ky kampionat, që do të jetë i ndarë në dy grupe, me 7 ekipe secila.

‘Fundi i kësaj jave do të vijojë me nisjen e kampionatit U-16 për vajza. Presim edhe ekipet e fundit për të bërë regjistrimet pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. Në fund të kësaj jave pritet të nisë ky kampionat, që do t’i shërbejë shumë një grupmoshe vajzash të moshës 15-16 vjeçare. Do të luhet në dy grupe, të ndara për shkak të shkurtimit të kostove të shpenzimeve për transportin e ekipeve. Dhe në përfundim të dy fazave të çdo grupi, dy ekipet e para do të kalojnë në fazën play-off për të nxjerrë edhe fituesen e edicionit të dytë të këtij kampionati. Numri i ekipeve është 14, ku secili grup do të jetë i përbërë nga7 ekipe dhe minimalisht do të jenë të regjistruara rreth 150 futbolliste’ – shpjegon Florian Riza, i cili tregon edhe se pse është kaq i rëndësishëm ky kampionat.

‘Ky është një kampionat kombëtar dhe besoj se kjo është një nga gjërat më të mira. Ka shumë ekipe që nuk janë në gjendje të ngrejnë ekipet e tyre të të rriturave dhe e kanë nisur me këtë grupmoshë për të arritur më pas tek ekipet e para. Besoj që një faktor tjetër shumë i rëndësishëm është edhe plotësimi i kritereve, qoftë i atyre për të marrë pjesë në UEFA Champions League për femra, por edhe për të plotësuar kriteret e klubeve futbollistike për meshkuj që do të jenë pjesë e aktiviteteve ndërkombëtare që UEFA zhvillon për sezonin 2023-2023’ – shpjegon Florian Riza.

Më tej, ai zbulon se këtë edicion do të konkurrojnë edhe tre ekipe të reja, që janë Tirana, Egnatia dhe Bylis, ndërsa shpjegon se kampionati U-16 për vajza ndihmon jo vetëm ekipet kombëtare me elementë të rinj, por edhe klubet shqiptare të kampionatit elitë për femra.

‘Tre ekipe janë krijuar rishtaz këtë sezon për kampionatin U-16 për vajza. Është Tirana U-16, Egnatia U-16, si edhe Bylis U-16 për vajza. Ekipet e tjera pjesëmarrëse kanë marrë pjesë edhe në sezonin e kaluar dhe mendoj që kjo do të sjellë një zhvillim më të madh. Po shkojmë drejt një fillimi të profesionalizimit të futbollit të femrave. Dy aspekte dalin në pah. E para për ekipet kombëtare, pasi kemi krijuar ekipe kombëtare për të gjitha grupmoshat. Kemi ekip kombëtar U-15 dhe U-16, që marrin pjesë në UEFA Development Tournament; Ekip Kombëtar U-17 dhe U-19, që marrin pjesë në kualifikueset e Kampionatit Europian, Liga B, si edhe Kombëtaren A. Në këtë aspekt, sa më shumë lojtare cilësore që marrin pjesë në kampionatin kombëtar U-16 për femra, do të thotë që krijojmë mundësi që këto të kenë një angazhim gjithëvjetor në stërvitje dhe në ndeshje dhe do të plotësojnë edhe të gjitha organikat e ekipeve kombëtare. Në aspektin tjetër, mendoj që edhe për ekipet respektive që marrin pjesë në kampionatin kombëtar të vajzave, mendoj që vitin që vjen këto vajza do të plotësojnë organikën e shumë ekipeve në rast se ato do të jenë cilësore, duke qenë se në kampionatin tonë ka një specifikë që vajzat tona luajnë shumë herët futboll, nga mosha 17-26 vjeç’ – thotë për fshf.org Florian Riza.

You may also like