Niederauer për Oversport: Venezia ime si familje, Serie A të ndërkombëtarizohet

by admin
Spread the love

Më ndiqni për të parë se ku do të jemi sot. Do të jemi në një nga vendet më të bukura në botë. Një nga më romantikët. Dhe një vend që vizitohet prej turistëve nga e gjithë bota. Mbi të gjitha, një qytet që e dashuron futbollin. Sot jemi në Venezia, për një intervistë speciale me presidentin e skuadrës së këtij qyteti, Duncan Niederauer. Sot do të jemi këtu për të intervistuar presidentin e Venezias, Duncan Niederauer.

-Përshëndetje Duncan, si jeni?

Kënaqësi t’ju shoh. Faleminderit për këtë vizitë.

– Faleminderit juve që na pranuat. Ju jeni nga New York. Nga New York në Venezia, si lindi ideja për të bërë këtë transferim dhe për të ndërmarrë këtë nismë në Serinë A?

Është një pyetje që ma kanë bërë shpesh. Venezia është qyteti i preferuar për bashkëshorten time. Është qyteti im i preferuar gjithashtu. E dua ndërlidhjen që ka mes biznesit dhe sportit dhe nuk mendoj se do të mund ta bënim këtë në ndonjë qytet tjetër në Europë. Kjo mundësi na u prezantua pak vite më parë. Dinim pak rreth klubit dhe menduam se mund të bëjmë diçka speciale për këtë qytet, i cili na pëlqen shumë.

– Absolutisht, dhe unë e di që jeni duke bërë shumë. Cilat janë aspiratat që keni për skuadrën në të ardhmen? Çfarë objektivash keni?

Mes mbijetesës dhe rënies nga kategoria, është e vështirë të thuash se çfarë mund të ndodhë në 5 apo 10 vitet e ardhshme. Në Serinë A, dalin gjithmonë gjëra të paparashikuara. Ne kishim një plan pesë vjeçar. E mendonim ngjitjen në Serinë A, por jo aq shpejt sa ja dolëm. Tani jemi këtu dhe po përjetojmë një eksperiencë interesante me shumë përulësi, duke qenë të vetëdijshëm që sa i përket organizimit tonë ne jemi gati për Serinë A. Prej të cilës, mund të mësosh shumë gjëra dhe mund të marrësh shumë eksperiencë.

Unë mendoj se lojtarët tani po kalojnë një periudhë të vështirë, por le ta shohim si do të reagojnë deri në fund të sezonit. Shpresa jonë është që ne do të mund të lëmë gjithçka më mirë sesa e kemi gjetur në fillim. Nuk është vetëm Seria A dhe Seria B. Sigurisht, ne duam që të qëndrojmë në Serinë A. Megjithatë, nëse ne ia dalim që të ngjitemi shpejt edhe atëherë kur zbresim nga kategoria, duke ndërtuar diçka të mirë, atëherë mund të themi se kemi hedhur një hap të suksesshëm në drejtimin e këtij klubi.

– A e prisnit që do të kishte sfida kaq të vështira në Serinë A?

Po, realisht e mendoja që do të ishte shumë, shumë e vështirë për ne sepse e dinim që lojtarët tanë kishin bërë mirë në sezonin e shkuar, mirëpo Seria A është ndryshe nga kategoria më poshtë. Mendoja se kishim ndërtuar një skuadër shumë të mirë, por ndodh edhe ajo që nuk pritej dhe në vitin e parë në Serinë A, sheh shumë njerëz të rinj. Gjithashtu mendoja se së bashku me pronarët e tjerë, për të qenë të sinqertë, organizata jonë nuk ishte plotësisht gati për këtë hap dhe për këtë nismë.

Kështu që me kalimin e kohës, ne njohëm edhe gjërat se si funksionojnë. Në momentin që ne e nisëm sezonin shumë mirë, mendoj se kemi surprizuar gjithkënd. Përfshirë edhe ne vetë. E ndoshta në këtë moment, kemi zbritur si të thuash me këmbë në tokë, duke e parë realitetin në sy. Tani, deri në ndeshjen e fundit duhet ta vërtetojmë që meritojmë për të qëndruar në kategori.

– E kam parë që keni bërë një start fantastik, me ndeshje dhe paraqitje të shkëlqyera…

Po!

– Shpresoj që të arrini ta mbyllni sezonin në mënyrë fantastike.

Gjithashtu edhe unë.

– E di që keni një histori shumë të pasur këtu. Shumë lojtarë, ikona të futbollit, kanë qenë pjesë e Venezias, në fushë apo si pjesëtarë të stafit. A janë në planet tuaja lojtarë të tillë dhe pjesëtarë të tillë në staf edhe në të ardhmen e këtij klubi?

Shpresoj që po. Sepse ajo që ne po përpiqemi që të ndërtojmë këtu, është një familje. Dhe për mua familje do të thotë që nëse i shërben asaj për të përmirësuar historinë, atëherë duhet të jesh i mirëpritur këtu në çdo kohë. I mirëpritur për të ardhur në këtë klub, për t’u stërvitur në këtë klub, për të qenë sërish pjesë e këtij klubi. Sepse ne kemi shumë nevojë që të mësojmë nga gjurmët që kemi ndërtuar deri më tani. Nuk kemi shans që të bëjmë atë që ata kanë bërë, për 10 apo 15 vite. Ne jemi të vetëdijshëm dhe mendje hapur për këtë.

Kemi disa lojtarë që kanë qenë pjesë e këtij klubi, të cilët janë pjesë e drejtimit të skuadrës. Ndaj, nuk kemi në plan që ta ndryshojmë këtë fakt. Mendoj sa më shumë që ne të afrojmë në skuadër, njerëz apo të bëjmë veprime që reflektojnë historinë e klubit. Dua që ta kuptojnë edhe lojtarët se kjo është hera e parë në dy dekada që ne jemi në Serinë A dhe siç ishte e drejta e tyre për t’u ngjitur në këtë kategori, është gjithashtu e drejtë e tyre edhe për të qëndruar. Dhe të bëjmë krenarë gjithkënd që na ndjek.

– Ju e keni thënë edhe herë të tjera, siç edhe e përmendët tani që e shihni Venezian si familje, krahas biznesit. Kjo është kultura që ju po impononi në këtë klub?

Ne mendojmë se kjo gjë është thelbësore. Të jem i qartë, nuk ishte një normë këtu kur erdhëm dhe nuk është zakon as në futboll. Kur kam folur me njerëz të tjerë për gjëra që më duhet t’i mësoja dhe gjëra që duhet t’i dija se si funksiononin këtu, më kanë thënë që të mos qëndrojmë afër lojtarëve. Të mos krijoj lidhje me ta, pasi ata duhet të më mendojnë vetëm si pronari dhe jo si një person me të cilin mund të bisedojnë. Gjë e cila më tingëlloi shumë e çuditshme dhe zgjodha të mos e ndjek atë pjesë të këshillës.

Në çdo organizatë apo kompani që kam qenë, dua që njerëzit e mi të dinë se unë do të bëj gjithçka për ta. Dhe si kthim, nëse ata e dinë që unë do të bëj gjithçka për ta, dua që ata të bëjnë të njëjtën gjë për mua. Dhe unë mendoj se vetmja mënyrë për ta bërë këtë gjë, është duke ndërtuar kulturën e një familjeje në këtë skuadër. Sezoni i kaluar ishte shumë i suksesshëm për ne, pa asnjë dyshim. Këtë vit, me kaq shumë të rinj të afruar nga kombësi të ndryshme, të kombinuara të gjitha këto me sfidën e të qenurit në Serinë A, na është dashur që të punojmë shumë për të bërë pikërisht që të mbizotërojë kjo kulturë.

E di se futbolli mund të mendohet vetëm si biznes. Mirëpo, sipas meje, është më shumë si pasion sesa biznes në vitet e para. Mirëpo, nuk mendoj se njëra përjashton tjetrën. Mendoj se mund të drejtosh një biznes i cili të ketë orientimin si një familje. E fundit për këtë argument që dua të shtoj është se lojtarët apo trajneri nuk do të më shohin mua kurrë që t’i kritikoj në media. Nëse do të kemi çështje, do t’i diskutojmë ato brenda klubit. Dhe ajo që duhet të presin prej meje është mbështetja në vazhdimësi, jo inat dhe mërzitje herë pas herë.

– Po shihet gjithnjë e më shumë prania e amerikanëve në klubet italiane. Si Roma, ju, apo ekipe si Atalanta dhe Fiorentina. Çfarë i tërheq amerikanët në Serinë A?

Kjo është vërtetë një pyetje shumë e mirë. Ka njerëz që mendojnë se ne jemi thjeshtë të çmendur. Por, mundësitë tonë për në Serinë A, janë shumë më të mëdha sesa kanë qenë dy dekada më parë. Siç edhe janë vendosur gjërat nga Liga, ekzistojnë mundësitë që të kesh shumë gjëra në kontroll dhe që mund t’i ndryshojmë ne vetë. Për shumë nga ne, qëndrimi në një periudhë afatgjatë tingëlloi e tmerrshme, por mundësia e momentit ishte fantastike.

Nuk mendoj se është akoma një influencë, por e shohim vetëm si një mundësi, me shpresën që të gjithë së bashku të mund t’i japim Ligës një mendësi për ndërkombëtarizimin e saj. Ajo që ne po bëjmë është shumë pak dhe jemi të përqendruar vetëm në tregun vendas, por Seria A duhet të jetë një markë ndërkombëtare. Në çdo domethënie të saj. Unë shpresoj që kjo “influencë amerikane”, të mund të ndikojë sadopak që liga të duket një ligë sportive ndërkombëtare. Kjo është ajo që po përpiqemi të bëjmë.

– Venezia ka një ndër fanellat më interesante në Serinë A. Ka një presion për këtë për t’i bërë të tilla dhe për t’i ndryshuar?

Kemi një bashkëpunim të mirë me njerëz që janë, por edhe nuk janë pjesë e klubit tonë, për ideimin e fanellave. Ne mendonim që duhet të bënim diçka të ndryshme dhe për këtë duhet të ndërmerrnim një risk. Mendoj se bashkëpunimi shkoi shumë mirë. Që në fillim, ua kam bërë të qartë që nuk do të ndërhyja unë aspak në këtë gjë dhe do të ishin vetëm ekspertët që do të merreshin me këtë çështje. Iu besova.

Unë dhe bashkëshortja ime pamë fanellat që do të ishin për sezonin e ardhshëm dhe e di që kërkesa është gjithnjë e më në rritje. Mendoj se do t’i bëjmë njerëzit të kënaqen sërish me ato që do të kemi në vijim. Kur je një klub i vogël, por je pjesë e qytetit më magjik në botë që e di çdokush nëpër botë, ke mundësinë për të ndërtuar një markë më shpejt sesa në vende të tjera. Prandaj, ndonjëherë duhet të ndërmarrim ndonjë risk.

– A ka pasur ndonjë president apo klub tjetër të Serisë A që ju ka mirëpritur më së shumti?

Kanë qenë tre apo katër. Klubet e mëdha nuk kanë pse të shqetësohen dhe në fakt nuk shqetësohen për ne që jemi një ekip i cili rikthehet në Serinë A për herë të parë në dy dekada. Drejtuesit e Udinezes kanë qenë shumë bashkëpunues dhe në ndihmë për ne. E gjithë struktura e klubit ka qenë e gatshme për të dhënë përvojë dhe ndihmë për atë që na priste në këtë kampionat. Të njëjtën gjë mund ta them për Cagliarin.

Kemi ndërtuar gjithashtu një bashkëpunim të ngushtë me skuadrën e Spezias gjithashtu. Mendoj se një skuadër e vogël, ka nevojë që të ndajë dhe të marrë përvoja gjatë gjithë kohës. Më pyetët në fillim se cilat ishin ambiciet tona për 10 apo 15 vite dhe unë dua që të jemi një skuadër që vazhdimisht të luajë në Serinë A. Jemi realistë që nuk mund të luftojmë për katër vendet e para dhe një vend në Champions në një të ardhme të afërt, kështu që skuadrat që janë në gjysmën e sipërme të Serisë A duhet të kenë mendësinë për të ndihmuar njëra-tjetrën, sepse unë mendoj që të gjithë kemi mundësi të mësojmë diçka nga njëri-tjetri.

Faleminderit shumë për kohën. Faleminderit të gjithëve që na ndoqët.

You may also like