Nga vetëvrasja e motrës, fëmijëria, dy martesat dhe komunizmi: 10 fakte që nuk i dini për Xi Jinping

by admin
Spread the love

Dhjetë gjëra që nuk i dini për udhëheqësin e Kinës, i cili është afër mandatit të tretë të pushtetit absolut. Si djali i një shoku të Maos, ai u rrit politikisht në provincë dhe më pas u zgjodh për të shpëtuar komunizmin kinez. Nga poshtërimet kur ishte fëmijë, te ngritja e duruar, Xi shpiku një sërë sloganesh politike.

Ai nuk jep intervista, nuk pranon konferenca për shtyp, nuk përdor Twitter (i cili gjithashtu është i ndaluar në Kinë) nga zyrat e tij të ndryshme: Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste, Presidenti i Republikës Popullore, kreu i Komisionit Qendror Ushtarak, nuk ka numra telefoni publikë, ku mund të kontaktojnë gazetarët për t’u sqaruar në linjën e superfuqisë së dytë botërore.

Asnjë i huaj nuk ka shkelur kurrë në rezidencën e tij private, brenda Zhongnanhai, kopshti i dikurshëm perandorak i Pekinit, që është kthyer në një kështjellë të ndaluar të qeverisë së Republikës Popullore.

Mbetet sekret shtetëror se kush është në të vërtetë dhe çfarë mendon Xi Jinping, ky njeri që mbushi 69 vjeç më 15 qershor dhe do të dalë nga Kongresi XX i Partisë-Shtet që hapet të dielën më 16 tetor edhe me pesë vite të tjera pushtet absolut.

Nga jeta e tij, propaganda kineze ka nxjerrë vetëm foto (të përzgjedhura mirë) dhe kujtime grafike. Pjesa tjetër janë anekdota dhe dëshmi të filtruara nga hije, pak a shumë fshehurazi. Këtu poshtë po publikojmë një përshkrim të jetës së tij në 10 etapa.

1- Princi i arsimuar

Ai lindi në Pekin, djali i një shoqëruesi të orëve të para të Maos, pra një “princ i kuq”, një pjesëtar i fisnikërisë komuniste të destinuar për udhëheqje dhe prestigj.

Por babai i tij, Xi Zhongxun, u spastrua në betejat për pushtet të viteve 1960 dhe sipas biografisë së agjencisë “Xinhua” të titulluar “Njeriu i Popullit”, djaloshi Xi “vuajti poshtërimin publik, urinë, ishte i pastrehë dhe një herë madje përfundoi në një qeli”.

Thuhet se në ato vite të tmerrshme, një motër më e madhe e Xi-së, u vetëvra, e pushtuar nga presioni publik.

Në vitin 1969, kur ishte 15 vjeç, Xi gjithashtu u dërgua si një “djalosh i arsimuar”, me dhjetëra mijëra bashkëmoshatarë që punonin në fshat, “për t’u riedukuar nga fshatarët më të varfër”, siç urdhëroi Revolucioni Kulturor.

Shtatë vjet në një fshat të largët në provincën veriperëndimore të Shaanxi, i vendosur në një shpellë të ndriçuar me qirinj.

Duhet të ketë qenë një tronditje: thuhet se gjatë një vizite të rrallë në shtëpi, i riu mendoi të fshihej në Pekin, por u detyrua nga nëna e tij të kthehej në fusha, për të mos çnderuar familjen e tij dhe për të mos humbur rastin për një “kursus honorum” që do ta lejonte të bëhej lider i Republikës Popullore një ditë.

Më pas, Xi mori disa valixhe të mëdha plot me libra në fshat: fermerët që e ndihmuan t’i tërheqë zvarrë, menduan se kishte një thesar brenda.

Ishin vëllime që studenti punëtor i lexonte natën: lexonte gjithçka, nga Victor Hugo te Hemingway dhe tri herë radhazi “Kryeqytetin” e Marksit (kështu tha ai).

Në fshatin Shaanxi, djali u vlerësua nga njerëzit, duke punuar si punëtor dhe më pas si mekanik i makinave bujqësore.

2– Rikthimi në Pekin

Në vitin 1976, pas Revolucionit Kulturor, 22-vjeçari Xi Jinping gjithashtu u kthye në Pekin. Miqësitë familjare e lejuan atë të rifillonte studimet dhe të diplomohej në inxhinieri kimike nga e famshmja Tsinghua.

Megjithatë, Sekretari i Përgjithshëm i ardhshëm, para se të merrte teserën, duhej të aplikonte dhjetë herë për t’u pranuar në Parti.

Një mik i vjetër i tij, nga ato vite, tha se Xi ishte “një i mbijetuar i Revolucionit Kulturor”, ai që kishte vendosur t’i shpëtonte atyre viteve të çmendurisë maoiste, “duke u bërë më shumë i kuq se e kuqja…”, gjithmonë i mbështetur nga “një ambicie e jashtëzakonshme”.

“Xinhua”, raporton se “dashuria që fitoi ndaj njerëzve, e frymëzoi atë: në vitet 1980, kur shumë kolegë shkuan në biznes ose u specializuan jashtë vendit, Xi hoqi dorë nga një zyrë komode në Pekin dhe shkoi të punonte si nënkryetar i seksionit të Partisë në një qark të vogël në Hebei, më pas u zhvendos në Ningde në provincën Fujian, një nga më të varfrat në ato ditë.

“Princi i kuq” nuk kishte frikë t’i bënte duart e tij pis për të ndërtuar të ardhmen e tij. Ai qëndroi në Fujian në pozicione gjithnjë e më të larta për gati 18 vjet, nga 1985 deri në 2002-in.

3- Dy martesat

Një kërcim edhe në jetën e tij private. Ai u martua dy herë, por e para dështoi shpejt. Gruaja e dytë është Peng Liyuan, një këngëtare soprano në korin e Ushtrisë Çlirimtare Popullore në Pekin.

Kur ata filluan të takoheshin në vitet 1980, ai ishte një zyrtar i Partisë në rritje të ngadaltë, ende i kufizuar në role provinciale.

Ajo ishte shumë e famshme. Në festën e dasmës në vitin 1987, morën pjesë burokratë të tjerë nga qyteti Xiamen në Fujian, ku ai po shërbente: thuhet se një mik i impresionuar dhe i padyshimtë, e pyeti Xi-në: “Si arrite ta ftoje edhe atë Peng-un në dasëm?”.

Përgjigja e qetë nga lideri suprem i ardhshëm, ishte “Ajo duhej të vinte, ajo është gruaja me të cilën do të martohem”.

Duket se në fillim Peng e ka pasur paksa bezdi, sepse ai ka menduar gjithmonë për politikën. Ata patën një vajzë, Xi Mingze, e cila studioi jashtë vendit dhe mbahet jashtë vëmendjes publike-mediatike.

Viti 1989, zyrtari provincial Xi Jinping drejton një kolonë kuadrosh dhe fshatarësh në fushat e Fujian

4- Shata në shpatull

Pas shtatë viteve të kaluara në fushatat e Revolucionit Kulturor dhe duke u diplomuar në inxhinieri kimike, pozicioni i parë politik u prokurua për Xi Jinping nga babai i tij, një lider i vjetër revolucionar i Marshit të gjatë, i rehabilituar pas spastrimeve maoiste.

Në vitin 1979, në moshën 26-vjeçare, hyri në sekretariatin privat të Geng Biaos, zëvendëskryeministri përgjegjës për Mbrojtjen Kombëtare.

Meqenëse “Partia komandon pushkën”, tre vjet pas asaj fushate nga Ushtria Popullore Çlirimtare, i dhanë të riut një pasqyrë të aparatit ushtarak dhe kontakte të rëndësishme me oficerët, të cilat do t’i dilnin shumë të dobishme.

Më pas, Xi u ngjit në hierarki në provincë, si të gjithë teknokratët e Partisë-Shtet. Nga viti 1982 deri në 1985, ishte nëpunës civil në Hebei; u zhvendos në Fujianin shumë të varfër, por ai qëndroi atje për gati 18 vjet, deri në vitin 2002.

Kur duhet të kujtojë angazhimin e tij, qoftë edhe material, Xi sjell gjithmonë një foto të tij bardhezi nga arkivat e “Xinhuas”: i gjatë dhe i hollë, i buzëqeshur dukshëm, flokë të ngjeshur dhe një shat mbi supe.

Titulli: “Viti 1989, Sekretari i Atëhershëm i Partisë në Ningde në Fujian, drejton mbi një mijë kuadro dhe fshatarë vendas të angazhuar për të punuar një kanal kullimi për të ndërtuar sistemin e parë të kanalizimeve lokale”.

Beteja kundër varfërisë është një nga pikat kyçe të angazhimit të Xi-së edhe sot. “Pekinologët” vërejnë se ai kurrë nuk i ka harruar shtatë vitet që kaloi si një “djalë i arsimuar” i dërguar për të punuar në Shaanxi.

Dhe pastaj, është mesazhi politik: një “Princ i kuq” ka nevojë për mburojë popullore dhe fshatare. Në Fujian, Xi arriti gradën e guvernatorit provincial.

5- I humbur për një votë

Megjithë popullaritetin që fitoi në fshatin Fujian, Xi pothuajse humbi “pushimin e madh” në Pekin. Në vitin 1997, ishte i pari nga lista e të pazgjedhurve për Komitetin Qendror të Partisë Komuniste. Ai përfundoi në vendin e 151-të nga 150 vendet e pritshme: një poshtërim.

Ai kishte shumë rivalë në Parti. U deshën manovra në prapaskenë për ta rikthyer në elitë. Dikush në krye po e mbronte, i tha vetes presidenti Jiang Zemin. Në ato vite, megjithatë, askush nuk e parashikoi se Xi mund të bëhej Sekretar i Përgjithshëm.

I paracaktuari, dukej se ishte shoku Li Keqiang, kryeministri aktual. Midis viteve 2002 dhe 2007, Xi ishte kreu i Partisë Zhejiang: një rol më i rëndësishëm se ai i guvernatorit.

Një krahinë, që nga bujqësia ishte kthyer në një vatër inovacioni industrial e teknologjik. Ishte e nevojshme vetëm shpërndarja e kapitalit për të nxitur rritjen dhe Xi e bëri atë shumë mirë.

Sot, në Pekin flitet për “Klanin Zhejiang”, duke iu referuar burrave të shumtë që shërbyen me Xi-në në ato vite provinciale dhe që e ndoqën atë në kryeqytet, kur u ngjit në krye të Partisë dhe Shtetit.

6- Paralajmërimi për “barkun plot”

Kërcimi i madh në majë ishte shumë i shpejtë, pas kaq shumë vitesh pritjeje. Në fillim të vitit 2007, Xi u dërgua në Shangai si udhëheqës i partisë për të shëruar një krizë politike në megalopol.

Një pasazh i shkurtër, sepse në Kongresin e vjeshtës 2007, ai u bashkua me Komitetin e Përhershëm të Byrosë Politike dhe në vitin 2008, u emërua nënkryetar i Republikës: ai ishte trashëgimtari i caktuar që priste të ngjitej në krye të Partisë-Shtet pesë vjet më vonë, në vitin 2012.

Duke qenë se babai Xi Zhongxun kishte pësuar disa spastrime për pozicionet e tij “liberale” (ai nënshkroi një letër ku kërkonte mirëkuptim për fëmijët e Tiananmenit), shumë menduan se udhëheqësi i ri mund të ishte një reformist që do të zgjeronte hapjen e madhe ekonomike të Deng Xiaoping.

Atij iu besua përpjekja më e fundit organizative për Lojërat Olimpike të Pekinit 2008: festën triumfale të hapjes së Kinës ndaj botës.

Pak vunë re një fjali të thënë nga nënpresidenti Xi Jinping në vitin 2009 gjatë një vizite në Meksikë: “Disa të huaj me barkun plot, nuk kanë asgjë më të mirë për të bërë sesa të drejtojnë gishtin drejt nesh. Unë u them atyre: së pari, Kina nuk e eksporton revolucionin; së dyti, nuk eksporton urinë dhe varfërinë; së treti, ajo nuk humb kohë duke luajtur me ju. Çfarë ka tjetër për të thënë?”

7- “Shpëtoni ushtarin Ryan”

Ambasadat dhe shërbimet e inteligjencës që vepronin në Pekin u vunë nën presion nga qeveritë e tyre përkatëse: ishte e nevojshme të dihej se kush ishte në të vërtetë Xi dhe pse Partia e kishte zgjedhur atë.

“WikiLeaks” ka zbuluar një dosje të klasifikuar, të mbledhur midis viteve 2007 dhe 2009 nga zyra diplomatike amerikane.

Një besim i Xi-së, një simpati e tij hollivudiane, u theksua me lehtësim. Duke folur për kinemanë me ambasadorin amerikan, ai tha se e vlerësonte shumë filmin “Saveing Private Ryan”, “sepse ai projekton një ndjenjë drejtësie”.

Më pas, Xi vazhdoi të luante mbi njohuritë e tij kulturore amerikane gjatë vizitës shtetërore të vitit 2015.

Si mikpritës i Barack Obamës, ai citoi serialin televiziv “House of Cards”, për të siguruar audiencën se Kina nuk ishte një vend i komploteve të errëta për pushtet.

Ai ishte ende udhëheqësi i një Kine që po përpiqej të magjepste botën dhe të bënte biznes, duke ndjekur strategjinë e treguar nga Deng: “Fshihni forcën tonë dhe blini kohë”.

Rreth dy vjet më vonë, shpërtheu përplasja politike dhe ideologjike me Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin.

8- Dy javë vrima

Ekziston një mënyrë ndriçuese për të përshkruar balancën e pushtetit brenda grupit të vogël që qeveris Kinën, Komiteti i Përhershëm i Byrosë Politike, sot i përbërë nga shtatë anëtarë: “Në Pekin, fillimisht zgjidhet Sekretari i Përgjithshëm, pastaj ai duhet të kandidojë për pushtet”.

Xi bëri pikërisht këtë, duke çmontuar “udhërrëfyesin kolegjial” të Deng-ut pjesë-pjesë. Lufta ishte sigurisht e ashpër, ajo mori shumë të burgosur (të cilët përfunduan në burg me akuza për korrupsion dhe komplote të errëta) dhe la Xi-në të vetëm në krye, të ndjekur nga një grup bashkëpunëtorësh të besuar.

Në Kinë është e ndaluar për anëtarët e partisë (96 milionë) të diskutojnë çështjet e brendshme politike me të huajt.

Xi Jinping do ta kishte sublimuar sistemin, duke i mbajtur gjithmonë kartat e tij të fshehura edhe nga shokët e tij, derisa të arrinte majat e strukturës së pushtetit.

Në shtator 2012, pak ditë para fillimit të Kongresit të 18-të të partisë që do ta kurorëzonte, Xi Jinping u zhduk.

Ai nuk mori pjesë në një takim me Sekretaren e atëhershme Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, e cila ishte në Pekin.

Nga 1 shtatori dhe për dy javë, ai nuk u përmend në asnjë lajm në shtypin kinez. Më pas, aq papritur sa ishte zhdukur, ai u rikthye në skenë me një foto të shpërndarë nga agjencia shtetërore “Xinhua” më 15 shtator, teksa vizitonte Universitetin Bujqësor në Pekin. Asnjëherë nuk është bërë e qartë se çfarë ndodhi në ato dy javë.

Vetëm thashetheme pati: një sëmundje; një përballje përfundimtare me kundërshtarët; edhe një luftë gjatë një diskutimi politik për të marrë kompetenca të plota dhe jo vetëm një mandat “primus inter pares”.

Versioni më ideal, është se Sekretari i Përgjithshëm dhe presidenti i ardhshëm i Republikës Popullore të Kinës, thjesht shtriu muskujt e shpinës, ndërsa luante futboll, sportin e tij të preferuar.

Kur shkon për një inspektim në provincë, Xi nuk dështon kurrë të shohë se çfarë zien në tenxheret e kinezëve të zakonshëm

9- Makthi sovjetik

Arsyeja pse Xi u zgjodh nga udhëheqësit e lartë, është se Kina komuniste kishte frikë se do t’i jepte fund Bashkimit Sovjetik.

Mao e kishte shpenguar Kinën nga shekulli i poshtërimit; Deng Xiaoping e nxori atë nga varfëria ideologjike, duke e hapur në treg (“me karakteristika socialiste kineze”) dhe duke nisur ecurinë e madhe që në dyzet vjet e ka sjellë në rangun e superfuqisë së dytë ekonomike në botë.

Duhej një lider i ri për të shpëtuar Partinë-Shtet nga vetja. Sepse sistemi energjetik kinez në vitin 2012 ishte në prag të delegjitimimit, i dërrmuar nga korrupsioni endemik dhe mungesa e momentit ideologjik.

Në Shkollën e Partisë, studiohet historia e BRSS-së dhe shembja e tij, pikërisht që Republika Popullore të mos ndjekë fatin e saj.

Dhe Xi, i ka paralajmëruar vazhdimisht shokët e tij në fjalimet e rrjedhura në shtypin shtetëror: “A e dini pse u shpërbë Bashkimi Sovjetik? A e dini pse u shemb Partia e saj Komuniste? Arsyeja ishte se idealet dhe besimet e tyre ishin lëkundur. Bashkimi Sovjetik ra, sepse në momentin vendimtar i mungonte një njeri i vërtetë i aftë të ngrihej për ta mbrojtur atë”.

Xi Jinping është njeriu të cilit iu kërkoi të udhëhiqte “Zhongguó Gongchan Dang” (kështu i thonë Partisë Komuniste Kineze).

Në thirrjet e tij për të ruajtur soliditetin ideologjik, Xi shtoi fraza të tjera beteje: “Duhet guxim për të kafshuar një kockë” dhe “Ne duhet të mbyllim pushtetin në kafazin e sistemit”.

Jo gjithçka është e qartë, por qëllimi tashmë është arritur: shteti komunist i themeluar nga Mao në vitin 1949, ka tejkaluar BRSS-në në jetëgjatësi.

10- Metafora e dy butonave

Në dhjetë vitet e para të sundimit të tij, Xi shpiku një sërë sloganesh politike. Frazat e tij të famshme meritojnë të deshifrohen, sepse ato përcaktojnë rendet politike dhe ekonomike.

Filloi me “Ëndrrën Kineze”, e cila fillimisht u interpretua si një premtim për të ndërtuar një shoqëri gjithëpërfshirëse si ajo e ëndrrës amerikane.

Megjithatë, bëhej fjalë për të larë hesapet me të kaluarën, me shekullin e famshëm të poshtërimit, i cili midis viteve 1840 dhe 1945 e kishte shndërruar Perandorinë Kineze në një tokë pushtuese për fuqitë perëndimore dhe Japoninë.

Xi dëshiron një rend të ri ndërkombëtar, me Pekinin që udhëheq të paktën hemisferën jugore. Menjëherë, në vitin 2012, ai nisi një fushatë kundër korrupsionit, duke shpallur vendosmërinë për të “larguar mizat dhe luftuar tigrat”, duke iu referuar burokratëve të vegjël dhe drejtuesve të lartë. Thjesht dukej si tym.

Ai e mbajti fjalën: të paktën 1.5 milionë të korruptuar (dhe kundërshtarë të linjës së tij) u ndëshkuan; spastrimi i fundit ndodhi në shtator me dënimin e “një klike” drejtuesish të sigurimit dhe policisë “që morën ryshfet dhe tentuan të prishnin unitetin e Partisë”.

Agjencia “Xinhua” e quajti atë “Mjeshtër të metaforave”. Ja disa prej tyre: “Globalizimi fillimisht ishte si thesari në shpellën e Ali Babës, më pas nga shumëkush u pa si kutia e pabarazive të Pandorës”; “Globalizimi është një thikë me dy tehe, kur ekonomia është në tkurrje, është e vështirë ta bësh tortën më të madhe, sepse thika pret feta që i mjaftojnë të gjithëve”; “Për t’u rritur, duhet të keni guximin për të lundruar në oqeanin e gjerë të tregjeve globale, timonierët nuk duhet të strehohen në portin e proteksionizmit”.

Nga podiumi i Davosit, ai ftoi biznesmenët botërorë: “Hipni në trenin ekspres të zhvillimit kinez”. Prandaj Xi luan dirigjentin e tregtisë së lirë (kineze).

I pëlqejnë edhe idiomat popullore, si babai i rinisë kineze, si kjo që u drejtohet studentëve për t’i nxitur të jenë të zellshëm: “Kujdes nga butoni i jetës. Është sikur kur vishesh dhe vendos butonin e parë në vrimën e gabuar të veshjes, të gjitha të tjerat do të përfundojnë keq. Në jetë duhet të mbyllësh butonat në mënyrën e duhur, që në fillim”.

Më pas, ai filloi të fliste për “normalen e re ekonomike”, kur rritja e Kinës humbi ritmin prej 10% në vit dhe u ngadalësua në 3% (jo i parëndësishëm, në kohët e recesionit perëndimor për shkak të pandemisë dhe krizës energjetike).

Kohët e fundit, ai lançoi temën e “prosperitetit të përbashkët”: një premtim për të rishpërndarë të ardhurat kombëtare në mënyrë më të drejtë dhe për “t’i dhënë fund kapitalizmit të çrregullt”.

Në Kinë, disa komentatorë kanë parashikuar një “revolucion të ri kulturor” dhe në Perëndim shumë analistë financiarë këshillojnë të mos vihen baste për investime në ekonominë e dytë më të madhe në botë, e cila është kthyer mbrapsht drejt marksizëm-leninizmit.

You may also like