“Fluturimi” i veturës së Kuvendit të Kosovës, që u kap duke bërë xhiro në qytetin e Polykastros së Greqisë, nuk është diçka e re për institucionet shtetërore.
Shfrytëzimi apo keqpërdorimi i veturave zyrtare është thuajse veti kronike e zyrtarëve publikë, saqë mund të thuhet se është shndërruar ne traditë.
E pjesë e kësaj tradite janë edhe vetë ata që monitorojnë zbatimin e ligjit.
Njëri nga zyrtarët policorë njëherë ishte kapur me qeset plot duke bartur pazarin e shtëpisë me veturën zyrtare të Policisë së Kosovës.
E vetura e policisë nuk është e vetmja që u përdor për shopping.
Bagazhin plot të një veture zyrtare me targat 3Z 254 UB e mbushën edhe disa zyrtarë të qeverisë.
E rastet e tilla janë të shumta.
Jo vetëm për shopping, por edhe për pushime drejt Shqipërisë janë përdorur jo rrallëherë veturat e shtetit.
Kujtojmë rastin e ish-zëvendësministrit për Kthim dhe Komunitete, Qazim Rrahmani, në vitin 2018, kur shkoi për pushime në Shqipëri, jo me një, por me dy vetura, deri sa kurrë nuk arriti ta arsyetojë këtë udhëtim.