Nga jeta personale te gara me Ronaldon, Lionel Messi rrëfehet si asnjëherë më parë

by admin
Spread the love

Pasi fitoi Topin e Artë për herë të shtatë, Lionel Messi po konsiderohet si më i mirë në historinë e futbollit.

Asnjë futbollist tjetër nuk e ka firuar shtatë herë këtë trofeo, teksa argjentinasi ndiqet nga një tjetër legjendë, Cristiano Ronaldo, me 5 Topa të Artë. Së fundmi, sulmuesi i PSG ka dhënë një intervistë ndryshe për “France Football”, revista që jep Topin e Artë.

“Kam 34 vjet që jam Messi, kështu që kam filluar të mësohem. Jam i kënaqur me gjithçka që ndodhi, edhe pse ndonjëherë më duhet të pranoj se do të doja të kaloja pa u vënë re, të shijoja jetën me familjen time pa më njohur njerëzit. Unë, nuk ankohem. Përkundrazi, është gjithmonë bukur të marrësh një kompliment, një buzëqeshje ose dikush që më kërkon një foto. Jam mësuar me këto dhe për mua është bërë normale. Pra, shumë mirë”.

“Pleshti” gjithnjë është komentuar si shumë modest, gjë për të cilën ka thënë se vjen nga një familje e klasës punëtore dhe se prindërit i kanë mësuar të jetë i përulur.

“Unë vij nga një familje e klasës punëtore, babai im punonte gjithë ditën dhe ne jetonim në një lagje mjaft modeste. Por nuk na mungonte asgjë, faleminderit Zotit. Prindërit e mi më rrënjosën respektin, veçanërisht me të tjerët, punën dhe jetën. Përulësinë. Unë jam rritur me këto vlera. Kur arrita në Barcelonë kur isha 13 vjeç, gjeta të njëjtat vlera në La Masia”.

Në verë kur u transferua në Paris, miku i tij Neymar i ofroi numrin 10 mirëpo Messi refuzoi. Ai u shpreh se ky gjest ishte i jashtëzakonshëm nga ylli brazilian por e priste sepse e njeh shumë mirë.

” 10-ta ishte për të. Erdha në një ekip të ri për të ndihmuar. Ishte një gjest i jashtëzakonshëm nga ana e tij. E prisja sepse e njoh Neymarin. Kaluam kohë te Barcelona dhe jemi miq. Më dukej më e drejtë që ai e mbajti numrin 10 . Prandaj mora një që më pëlqeu (30)”.

Por si është të konsiderohet si më i miri në histori?

“Kurrë nuk kam thënë që jam më i miri në histori dhe as nuk përpiqem ta kem këtë ide. Për mua është më se e mjaftueshme të konsiderohesh si një nga më të mirët në histori. Është diçka që nuk do ta kisha imagjinuar kurrë. Është diçka që nuk më intereson, nuk ndryshon asgjë. Të konsiderohesh më i miri apo jo. Dhe kurrë nuk kam dashur të jem”.

Ndër të tjera ai është ndalur edhe te rivaliteti me Ronaldon duke thënë se i ka ndihmuar të dy të rriten.

“Gjithmonë kam dashur të kaloj veten dhe të mos shikoj se çfarë po bënin të tjerët. Me Cristianon e mbajtëm konkurrencën gjatë të njëjtit kampionat për vite me radhë. Ka qenë e mrekullueshme dhe na ka ndihmuar të rritemi në karrierën tonë. Por pa parë njëri-tjetrin. Thjesht doja të tejkaloja veten për të qenë më i miri dhe jo më i mirë se tjetri”.

Krahasimi me Maradonën?

“Sinqerisht nuk e kam krahasuar kurrë veten me Diegon, absolutisht kurrë. Nuk i kam kushtuar vëmendje atyre krahasimeve. Disa kritika më kanë mërzitur në të kaluarën. Kam kaluar keq në kombëtare, vërtet, por jo për këto arsye”.


You may also like