Nga Hysaj tek ëndrra për të luajtur me kombëtaren A, flet talenti Albi Koleci

by admin
Spread the love

Lezha ndër vite ka rritur futbollistë. Vite më parë spikaste me Shqipërinë e madhe Bledar Kola dhe me siguri në qytetin verior krenohet me të. Tashmë ai qytet po prodhon për kombëtaret e moshave dhe një prej tyre është Albi Koleci, 16-vjeçari që ka qenë pjesë e moshave të Besëlidhjes dhe tani ka kaluar te Brians.

Albi nuk ka pasur nevojë që dikush ta shtyjë drejt futbollit. Dëshirën e ka pasur të madhe për të luajtur dhe tani po aq të madhe duhet ta ketë vullnetin për të bërë karrierën që ëndërron. Në gjurmët e kujt do të ecë ai e rrëfen edhe për rubrikën “Talenti shqiptar” për “fshf.org”. Si e nisi, emocionet që ka kur është pjesë e Shqipërisë, idhujt dhe gjithçka tjetër e thënë nga goja e tij.

Albi, si ka nisur dashuria juaj për futbollin? Sa vjeç ishit kur topi u bë i pandashëm për ju dhe kush ju shtyu më shumë drejt këtij sporti?

Dashuria ime për futbollin ka nisur që në moshën 7 vjeç dhe ka qenë dëshira ime që më shtyu drejt këtij sporti.

Kush është personi që ju këshillon më së shumti në lidhje me futbollin dhe që ju qëndron më afër?

Personi që më këshillon më së shumti në lidhje me futbollin dhe më qëndron më afër është babai. Gjithashtu edhe daja im më mbështet dhe më këshillon shumë.

Pse keni zgjedhur të luani mbrojtës, kur të gjithë dëshirojnë më së shumti të luajnë përpara e të shënojnë gola?

Unë zgjodha që të luaj mbrojtës sepse aty ndihem më mirë se në çdo pozicion tjetër dhe më pëlqen që të ndihmoj skuadrën në aspektin difensiv.

Si jeni ndjerë kur morët për herë të parë ftesën nga Shqipëria U-17? Çfarë kujtoni nga grumbullimi dhe ndeshja e parë?

Kur mora ftesën për herë të parë nga Shqipëria U17, u ndjeva shumë i lumtur sepse ishte diçka që kisha punuar për ta arritur. Nga grumbullimi dhe ndeshja e parë u ndjeva shumë i emocionuar, pasi nuk kisha pasur eksperienca të tilla më parë. Ishte diçka shumë e bukur.

Si ndiheni që jeni pjesë e kombëtareve të moshave, si lojtar i një akademie vendase?

Unë ndihem shumë mirë që jam pjesë e kombëtareve të moshave, madje duke pjesë e tyre nga një akademi vendase.

A shikoni diferencë me lojtarët që vijnë nga jashtë vendit?

Lojtarët që vijnë nga jashtë vendit kanë cilësi shumë të mira, por që nuk kanë ndonjë diferencë të madhe me ne që luajmë në Shqipëri.

Kush është lojtari shqiptar që ju motivon më së shumti, që e keni si shembull? Po lojtari i huaj?

Lojtari shqiptar që më motivon më së shumti është Elseid Hysaj, pasi ka dalë nga një vend i vogël dhe ka arritur shumë. Ndërsa lojtari i huaj që më pëlqen është Kyle Walker.

Vetë ju personalisht, cilin keni synimin më të madh në futboll? Ka një futbollist në gjurmët e të cilit do të donit të ecnit?

Synimi im më i madh në futboll është që të luaj me kombëtaren e madhe. Do të doja të ecja në gjurmët e Elseid Hysajt.

Foto: fshf.org

You may also like