Nedved, gati për t’u rikthyer në futboll

by admin
Spread the love

Pasi u shfaq pak ditë më parë në ‘premierën’ e filmit dokumentar për Marcello Lippi, një vit pas dorëheqjes së tij nga bordi drejtues i Juventusit, ai është parë sërish në publik. Dhe tani, Pavel Nedved mund të kthehet në botën e futbollit.

Siç raportohet nga shtypi çek, në fakt, ai së shpejti mund të gjejë një pozicion të ri në Federatën e Futbollit të Republikës Çeke si drejtor i zonës teknike, me Ivan Hasek si trajnerin e ri të mundshëm të kombëtares, që ishte në të njëjtin grup kualifikues të “Euro 2024” me Shqipërinë, e kualifikuar në finalet e Europianit të Gjermanisë si e dyta në grup.

Largimi i hidhur nga Juventusi – Përveç Andrea Agnelli, klubin bardhezi e përshëndeti edhe Pavel Nedved pas dënimit me heqje pikësh, sezonin e kaluar. Ish-kampioni çek, gjatë mbledhjes së aksionarëve, e dorëzoi detyrën e zv.presidentit, duke rezervuar fjalë të ëmbla ndaj klubit të Juventusit:

“Ne kemi biseduar shumë herë, por e ndjej se është për detyrë t’ju falënderoj të gjithëve. Rrugëtimi këtu zgjati 20 vite. Unë isha një futbollist i ri, u bëra një menaxher në moshë të mesme. Që kur kam ardhur jam përshtatur me lehtësi.

Njerëzit këtu u sollën si familje për mua, e kuptova këtë klub, i cili jo vetëm që është ndër më të rëndësishmit në botë, por është një nder ta përfaqësosh atë, në fushë dhe pas tavolinës. Kisha ndalur së luajturi për disa vite, pastaj aksionarët më kërkuan të bashkohesha me bordin në vitin 2010.

Vitet e para të mësimit ishin një shkollë e shkëlqyer për mua. Çdo ditë munda të mësoja diçka, duke dhënë kontributin tim. Më pas u bëra zv.president, jam krenar për këtë detyrë. Ishte një nder i madh, por edhe përgjegjësi e madhe. Edhe ky post është pasion dhe nuk më ka munguar asnjëherë, që nga dita e parë e deri më sot, në këtë sallë.

Në fund, faleminderit presidentit Agnelli, faleminderit për miqësinë tonë edhe jashtë punës, po mendoj edhe për ndeshjet tona, ku edhe ne u grindëm, por e forcuam bashkimin tonë, çka është vendimtar në punën tonë.

E di sa shumë e do Juventusin, sa sakrifica ke bërë te Juventusi, sa shumë ke qenë lider për këtë klub. Ishte nder të punoja përkrah teje, faleminderit president, faleminderit të gjithëve!”.

You may also like