Në zonën e Farkës është bërë një zbulim i denjë për të hyrë në rekordet Gines

by admin
Spread the love

Nga Çapajev Gjokutaj

Dje në zonën e Farkës është bërë një zbulim i denjë për të hyrë në rekordet Gines: qeveria ka pikasur një pallat 9 katësh të ndërtuar pa leje.

Mbetet mister sesi mund të ngresh 2 kate nën dhè plus 7 të tjerë në qiell të hapur, pa u parë nga institucionet që ka ngritur qeveria dhe i majm me taksat tona.

Qytetarët e zakonshëm nuk bëjnë dot një rikonstruksion të thjeshtë në apartamentet e tyre, se tak-fak ia beh policia përkatëse dhe kërkon lejen e bashkisë.

Doemos ky që ka ndërtuar 9 kate pa leje nuk është qytetar i rëndomtë, po biznesmen me pare të madhe. I kanë dalë për harxhet e ndërtimit dhe i kanë tepruar edhe për t’u zënë sytë personave përgjegjës.

Kemi ecur përpara e po bëjmë çudira: dikur, në kohën që pasqyron bibla, i pasuri e kishte pisk punën, më sa hynte gamilja në vrimën e gjilpërës, aq mund të hynte shpirti i tij në parajsë.

Sot vrimën e gjilpërës mund ta kalojë jo vetëm shpirti, por edhe vetë i pasuri, madje edhe me një pallat 9 katësh mbi shpinë e të dalë në çairet e përjetshme të allishverishit.

Dhe qeveria të kujdeset për shfaqjen e radhës e jo për të ndëshkuar në radhë të parë ata që mbyllën sytë e hapën xhepat.

E lumsi na e lumsi ti, Shqipëri plot me çudi!

You may also like