Në vendlindjen e festës që shënon lirimin e skllevërve në Amerikë

by admin
Spread the love

E hëna është festa federale “Juneteenth” në Shtetet e Bashkuara. Emri i festës është marrë nga dita pas përfundimit të Luftës Civile më 19 qershor të vitit 1865, kur ushtarët e Shteteve të Bashkuara mbërritën në qytetin ishull Galveston, të Teksasit, për të informuar skllevërit e atjeshëm se ishin tashmë të lirë.

Skllevërit ishin liruar në pjesë të tjera të jugut amerikan, por shumica e skllevërve në Teksas u mbajtën të lidhur me hekura derisa mbërriti ushtria. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Greg Flakus, ndërsa festa tashmë shënohet në mbarë vendin, ajo ka domethënie të veçantë për njerëzit në Galveston.

Festimi i Juneteenth në Galveston, të Teksasit filloi disa ditë përpara, me piknikë, parada dhe koncerte.

Në Juneteenth festohet kultura afrikano-amerikane dhe kontributi i saj më i gjerë, por domethënia e saj është e rrënjosur në histori, thotë organizatori i aktiviteteve Sam Collins. Ai thotë se një afresk me sipërfaqe 460 metra katrorë në qendër të Galvestonit nderon Gjeneralin Gordon Granger, njësitë e tij të përbëra përgjithësisht nga afrikano-amerikanë, si dhe njerëzit që u liruan.

“Ishin vetëm rreth 1200 njerëz të skllavëruar në ishull, por pas 19 qershorit historia u përhap nga ishulli dhe u kalua gojë më gojë edhe ndër një çerek milioni skllevërit e tjerë në Teksas që e mbajtën gjallë historinë e asaj që ndodhi këtu në Galveston”, thotë zoti Collins.

Dita Juneteenth ka një lidhje të thellë emocionale për shumë afrikano-amerikanë, por e mbështesin edhe të bardhët, si Ronnie Hall nga Baytown, i Teksasit.

“Mendoj se mund të ketë filluar vetëm për afrikano-amerikanët, por është shtrirë më tej”, thotë zoti Hall.

Vizitorë të shumtë kishte jo vetëm në plazhet e ishullit, por edhe përgjatë rrugës ku zhvillohet parada për Juneteenth.

Veterani i ushtrisë Tawan Parsons ka ardhur këtu nga Luiziana.

“Është e rëndësishme të kujtojmë se çfarë ka ndodhur, por të mos lejojmë që të na përkufizojë e shkuara. Ta shfrytëzojmë këtë moment jo vetëm për të festuar lirinë që u fitua nga njerëzit këtu në Galveston, por edhe vazhdimësinë e lirisë tonë”, thotë zoti Parsons.

Ai shpreh shqetësimin për përpjekjet nga disa politikanë për të fshehur aspekte të historisë që i trazojnë, përfshirë skllavërinë.

Zoti Collins thotë se njohuria për ngjarje historike si Juneteenth mund të ulë polarizimin politik dhe ta ndihmojë vendin.

“Kemi përgjegjësinë për të riparuar themelet e këtij vendi duke treguar të vërtetën dhe historinë e vërtetë të këtyre ngjarjeve, pasi mënyra e vetme se si mund të shërohemi është duke treguar të vërtetën”, thotë ai.

Zoti Collins thotë se disa njerëz mendojnë se nëpërmjet informimit për skllavërinë nxitet ndenja e fajit dhe jo patriotizmi, por ai thotë se një pasqyrim me vërtetësi i historisë do ta bëjë vendin më të fortë.


Top Channel

You may also like