Në mëngjes foli për luftë, pasdite Kurti pret në takim komandantin e KFOR-it

by admin
Spread the love

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim komandantin e Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneral-majorin Ferenc Kajári.

Mediet nuk kanë qenë të njoftuara për ta mbuluar takimin. Ndërkohë sipas një komunikate shtypi të Zyrës së Kryeministrit, në takim është biseduar për “bashkëpunimin e afërt ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), përbrenda mandateve që kanë”.

Sipas komunikatës, u ritheksua rëndësia e KFOR-it në sigurimin e paqes dhe sigurisë në Republikën e Kosovës, që është qëllim dhe prioritet i përbashkët i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe KFOR-it.

“Kryeministri Kurti theksoi domosdoshmërinë e përcjelljes së mesazheve të qarta për veprimet e strukturave kriminale në veri të Republikës së Kosovës, që cenojnë rëndë sigurinë në vend”.

Në takimin e përbashkët me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Kryeministri shprehu gatishmërinë e Qeverisë, institucioneve të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe bashkërendimin e veprimeve, në shërbim të paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Në komunikatë thuhet se komandanti i KFOR-it i falënderoi Kryeministrin Kurti dhe Ministrin Sveçla për bashkëpunimin e mirë mes Qeverisë, Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, ndërsa i përgëzoi policët për sjellën profesionale lidhur me ngjarjet në veri të Republikës së Kosovës.

“Kryeministri Kurti dhe Ministri Sveçla potencuan profesionalizmin dhe guximin e organeve tona të rendit dhe të sigurisë, përkatësisht Policinë e Kosovës, në ruajtje të rendit publik dhe sigurisë sonë”.

Kryeministri i Kosovës, Kurti, në një intervistë për gazetën italiane “La Repubblica”, publikuar sot në mëngjes, ka tërhequr vëmendjen se ekziston rreziku për një konflikt të ri mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Kurtit, marrë parasysh se pas Serbisë qëndron lideri rus, Vladimir Putin, edhe rreziku për konflikt mbetet i lartë.

“Rrezikojmë luftë. Pas Serbisë është Putini. Nuk do të thosha se rreziku është shumë i madh, sepse ne kemi edhe një kontingjent të NATO-s këtu, por sigurisht që është i lartë. Ne jemi një demokraci që kemi një autokraci në kufij”, tha Kurti.

Duke folur për masat e fundit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe reciprocitetin për dokumente me Serbinë, Kurti ka thënë se serbët kanë 48 baza rreth Kosovës dhe se protestat në veri ishin të organizuara nga Beogradi, me mbështetjen e Rusisë.

Sipas tij, protestat e një jave më parë në veri nuk ishin spontane, por të organizuara nga Beogradi me mbështetjen e Rusisë.

“Serbët kanë 48 baza nëpër Kosovë. Protestat nuk kanë qenë spontane, ato janë organizuar nga Beogradi me mbështetjen e Rusisë”, ka thënë Kurti për “La Repubblica”.

You may also like