Në Manastir

by admin
Spread the love

Nga Monika Stafa

Taksia u kthye në rrugicën e rrëpirët me emrin Baja Pivljanina, në drejtim të manastirit të vjetër në ish kryeqytetin e Malit të Zi.

Në Cetinjë.

Kurorat e sapoçelura ruanin freskinë e mëngjesit, pavarësisht prej ngrohtësisë së pazakontë të diellit të korrikut. Këtu dikur ka jetuar familja mbretërore e Krajl Nikollës së Parë.

Rrëfenjat tregojnë se ai ishte një mbret optimist. Mbreti i fundit i Malit të Zi, para se të gëlltitej në Jugosllavinë e parë, brenda së cilës humbi dhe emrin thoshte në gëzim e sipër teksa kthente gotën e famshme të verës këtej anëve, se sa të ketë bjeshkë dhe dhi, ky vend nuk do të mposhtet!

Si të gjitha rrëfenjat, edhe ajo e Krajl Nikollës, nuk ka nevojë të argumentohet. “Mali i Zi dhe Malet” rron prej maleve.

Taksia kaloi qoshen e rrugicës. Një varg shtëpish të ulëta me fasada të zbukuruara me saksi mëllagash nëpër dritare u dukën sakaq. Në të dyja anët e rrugës, restorante, kafene dhe shitore suveniresh. Në thellësi të portave të mëdha të shtëpive, syri të zë oborre të brendshme.

Po pse ky mit malesh në vendin që edhe emrin e ka të lidhur me malin?

Duke shijuar valëvitjen e peizazhit, djallëzisht mund të të shkojë në mendje se ndoshta mali dhe deti këtu nuk janë parë dhe aq miqësisht me njëri-tjetrin. Dhe kështu më ndodh sa herë që udhëtoj.

Pamja prej përralle e qytezës së përgjumur tretet fill me të dalë në shesh. Taksia përshkon rrethin dhe shkon e ndalet para muzeut të qytetit. Ca më tej sheshi i manastirit dhe drejt përpara, deri ku të rrok shikimi shtrihet një kurorë pylli e mbështjellë me një hije të rëndë freskie.

Godina dikur ishte pallati mbretëror aty ku banonte Krajl Nikolla i I me gruan e tij Milenën. Dhe pesë vajzat e tij. Vajzat e Nikollës së I -rë u martuan të gjitha me princër dhe mbretër. Për këtë arsye Krajli i Malit të Zi kishte dhe një nofkë të bukur- vjehrri i Evropës- një nofkë që ai e ndan në kohët moderne ende vetëm me një mbret. Me atë të Danimarkës.

Lavdia e historisë, më shumë se shija e së bukurës, më ka ngacmuar gjithmonë ta prek këtë vend në një kohë që e pres me padurim gjatë vitit. Dhe kjo përforcohet nëse pyet vendasit se çfarë mitizon himni i këtij vendi.

Ashtu si shqiptarët, edhe malazezët ngatërrohen kur vjen puna për himnin. Prit: “Oj svijetla majska zoro; Majko naša Crna Goro”: “O agim i ndritshëm i majit / Cerna Gora nëna jonë”.

Pastaj si vazhdon, pyet të bijën e zonja e shtëpisë ku jemi vendosur për të kaluar pushimet.

Mua më pyet? Kur s’e di ti, si do ta mbaj mend unë? Ato këmbejnë jo fjalë, por vargje me njëra-tjetrën, derisa mua më duket se e kam gjetur çelësin e asaj që po kërkoj: “Volimo vas, brda tvrda” – të duam ty dhe malet e fortë, i thonë malazezët vendit të tyre. Dhe më tej vazhdon: “Ne jemi bij të shkëmbinjve të tu”.

Duket sikur “Primorje” dhe “Crna Gora” janë dy gjëra gati të ndryshme. Malet mënjanë dhe bregdeti me bukurinë e vet në anën tjetër; krenaria e historisë që buçet brenda himnit dhe tërheqja e turistëve për vijën bregdetare.

Në hollin e godinës mbretërore me mermer prej shkallëve ovale të gjera ishte zhdukur tapeti i kuq. Por bukuria që shfaqej pas dritareve të gjata që nga koha e secesionit, të cilat shihnin nga oborri i rrethuar nga të gjitha anët me mure, ta zbuste këtë mungesë që shkaktonte mërzi.

Me “Magjistarin” e Mom e dy-tre libra të tjerë për mitologjitë e popujve të Europës në duar kishin nisur pushimet e mia në vendin fqinj.

Natyra dhe historia. Pikërisht kjo duhet të ketë qenë zgjidhja ime më e drejtë: shpirti i Renesancës, fryma e krishterimit, vendi i manastireve dhe bregdeti që përthyhet me gjire e ishuj modestë në mënjanësinë e tyre. Janë ata që në këtë vend të presin gjithandej.

Diku në të majtë është dhe manastiri i Rotacit, ku thuhet se është shtypur libri i parë shqip. A thua të jetë e vërtetë?

Librat për mitet flasin për fakte parahistorikë mbi zanafillën e popujve, qyteteve apo dhe jetë mjeshtërish. Sot miti i Cadmos-it, i cili konsiderohet prej shkencëtarëve si prius parens i ilirëve sundon ende gjatë këtij bregdeti.

Ju me siguri e dini se Cadmos-i, njëri prej djemve të hyjneshës Europë, së bashku me gruan e vet Harmonia, u dëbua prej Tebës dhe u vendos në këto anë. Harmonia lindi dy djem, prej të cilëve ne gëzojmë sot qytetin e Durrësit. Kjo është arsyeja pse Durrësi mbart vlerën e një qyteti me origjinë muzike dhe tingujsh jetëdhënës.

Sa shumë ngjajnë popujt “armiq” të Ballkanit! Popuj që duelet i bënin mes tyre, ashtu si europianët deri në shekullin e 18-të, por çikat ia rrëmbenin njëri-tjetrit gjithashtu. Të dalldisur shumë prej bukurisë së tyre. Ashtu si Halili i këngëve shqiptare heroike, që ndoshta nuk do të kujtohej kurrë për martesë po të mos ishte urdhëri i vëllait të madh. I pari dilte në krajli me çetue, i dyti për vajza të bukura.

Malin e Zi mund ta kuptosh disi pa detin. Mund ta kuptosh edhe pa lashtësinë. Por nuk mund ta kuptosh kurrë pa Negošić-ët. Ashtu sikurse nuk mund ta kuptosh pa malet. Madje dhe pa malet me festa tradicionale shqiptare. Këtu ka plot festa të tilla.

Ky është një popull që rron prej faltoreve, gjen prehje dhe paqe duke kuvenduar me veten dhe me hyjtë nëpër to; i ruan faltoret dhe po ia dolën ua marrin dhe të tjerëve, kurse ato të shqiptarëve, të shqiptarëve katolikë, zor se mund t’i gjesh më kund, përveçse në relacionet e prelatëve, vizitatorëve apostolikë apo dhe ipeshkvinjve.

Ndaj unë pyes gjithmonë është mirë apo është keq të sillesh në një mënyrë laike, shekullare, ndoshta deri-diku pagane, pa përjashtuar dhe sjelljen profane, me ndërtesat e kultit të vendit?!

The post Në Manastir appeared first on Shqip.

You may also like