Në 2021-ën veç një aktakuzë e ngritur për krime lufte – Prokuroria: S’mund t’i akuzojmë personat që nuk janë të pranishëm

by admin
Spread the love

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) ka mbajtur konferencë me temën “Pengesat aktuale në procedimin e krimeve të luftës në Kosovë”, me ç’rast prezanton raportin vjetor nga monitorimi i gjykimeve mbi krimet e luftës dhe veprave penale të motivuara etnikisht dhe politikisht në Kosovë gjatë vitit 2021, raporton Ekonomia Online.

Aty u
tha se Prokuroria ka ngritur vetëm një aktakuzë ndaj një personi për krime të
luftës gjatë vitit 2021. Me këtë raport, nuk u pajtuan nga Prokuroria Speciale
e Republikës së Kosovës.  

Amer
Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare tha se kanë monitoruar 50 seanca
gjyqësore në rastet e krimeve të luftës dhe 20 seanca që lidhen me vepra penale
që lidhen me prapavijë politike.

“Dy
persona janë arrestuar me dyshimet për krime të luftës. Gjatë kësaj periudhe
janë procesuar pesë raste kundër gjashtë personave. Në raportin vjetor për 2021
i përbën 13 analiza të proceseve gjyqësorë që ndërlidhen me krime të luftës 10
prej këtyre rasteve janë të krimeve të luftës. Është i mjaftueshëm për ta
përshkruar se gjendja nuk është e kënaqshme, ku vetëm një person është akuzuar
për krime të luftës për vitin 2021. 70 persona janë dënuar nga institucionet në
Kosovë”, ka prezantuar ai raportin.

Udhëheqësja e departamentit për krime lufte, Drita Hajdari theksoi se kanë sfida të mëdha në hetimin dhe gjykimin e rasteve të krimeve të luftës, derisa nuk u pajtua me raportin.

“Prokuroria
ka hetuar rastet ku e kemi siguruar praninë fizike të pandehurit. Ne nuk mund
të ngrisim aktakuzë për personat që nuk janë të pranishëm. Kur thuhet që gjatë
vitit 2021 është ngritur vetëm një aktakuzë, kjo mund të tingëllojë se nuk po
punohet. Unë konsideroj që gjykimi në mungesë është i nevojshëm, edhe nga
aspekti i drejtave të viktimave”, ka thënë ajo.

E ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abott tha se sfidë për vendosjen e drejtësisë është se shumë nga kryerësit e veprës nuk janë në Kosovë.

“Shumë
të mbijetuar kanë vdekur, ose janë shumë të moshuar që mund ta bëjë marrjen në
pyetje të pabesueshme dhe të vështira. Trajtimi i këtyre sfidave është
esencial. Kërkesa e familjarëve është që kryerësit e veprës të burgosen. Vetëm
213 persona janë akuzuar dhe vetëm 71 janë dënuar. 23 nga fundi i krimit,
familjarët kanë të drejtë të dinë për fatin e familjarëve të tyre. Viktimat nuk
duhet të jenë viktimë të politikës. Është mirë që dëgjojmë nga qeveria që kjo
është prioritet nga këta. Ne gjithashtu mirëpresim rritjen e numrit të prokurorëve”,
tha ai.

Pauline
Menthonex Gacaferri, e cila është zëvendëshefe e misionit nga Ambasada e
Zvicrës në Kosovë, theksoi se viktimat e krimeve të luftës kanë të drejtë për
drejtësi.

“Shteti
ka për detyrë për të hetuar shkeljet e drejtave të njeriut. Kultura e
pandëshkrueshmërisë mund ta grryejnë paqen, në kontekst të Ballkanit Perëndimor
dhe duke vonuar integrimin në Bashkimin Evropian”, ka theksuar ajo.

E
shefi i seksionit për Çështje Juridike dhe Këshillimor për Sundimin e Ligjit në
Zyrën e Bashkimit Evropian, Hakan Ejdevervik tha se janë duke mbështetur procesin
me mbi katër milionë euro.

“Katër raste janë që nga viti 2018 dhe këto janë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë dhe asnjë seancë nuk është mbajtur për këto raste”, ka theksuar ai, derisa ka folur për proceset gjyqësore.

You may also like