Ndotja gradualisht ulet, por zgjidhja është proces i gjatë – Shqip

by admin
Spread the love

THIRRJE PËR INSPEKTORËT QË MË INTENSIVISHT T’I KONTROLLOJNË GAZRAT E DËMSHËM

Nuk ka zgjidhje të shpejtë për uljen e ndotjes së ajrit, e cila këtyre ditëve në Shkup dhe në qytete të tjera në vend ka arritur shkallë shqetësuese. Ministri i Ambientit Jetësor, Naser Nuredini, sugjeron kontrolle më intensive nga ana e inspektorëve, në nivel shtetëror dhe lokal, dhe vazhdimin e projekteve për gazifikim të objekteve publike dhe për transport publik bashkëkohor. Në fuqi është rekomandimi për lirimin nga punë të personave të rrezikuar dhe përshtatja e orarit të punës për ata që punojnë në ambient të hapur.

Maskat sërish u kthyen në rrugët e Shkupit, por këtë herë jo aq për mbrojtje nga viruset, por  nga grimcat e dëmshme PM, përqëndrimi i të cilave gjatë ditëve të fundit ka arritur vlera edhe dhjetë herë më të larta se ato të lejuarat. 

Sipas platformave për matjen e ndotjes së ajrit, Shkupi sërish gjendet në top-listat e qyteteve më të ndotur në botë. Me indeks ndotjeje të ajrit prej 166, para Shkupit, gjenden vetëm qytete nga Kina, India, Pakistani, Bangladeshi dhe Gana.

Autoritetet shprehin bindjen se investimi i vazhdueshëm në sisteme bashkëkohore në spitalet, shkollat, çerdhet dhe stacionet policore, jep rezultate, por bëhet fjalë për  proces të gjatë. Për efekte në afat të shkurtër, janë të nevojshme kontrolle nga ana e inspektorëve, në nivel shtetëror dhe lokal, rekomandon Ministri i Ambientit Jetësor.

“Inspektorati tani ka leje të hyjë në çdo instalacion që ka leje të integruar ekologjike A. Ndërsa me ligjin e ri për emetime të dëmshme, që është në procedurë qeveritare, do t’i obligojmë të gjitha instalacionet në shtet me leje të integruar A vetë të kenë stacione matëse, 24 orë. Komunave me ndotje mbi nivelin e lejuar u dërgojmë udhëzime, të cilat janë të obliguara t’i zbatojnë” – tha Naser Nuredini.

Nuredini sugjeron se për ajër më të pastër duhet sa më shpejt të zbatohet gazifikimi, përkatësisht të hiqet dorë nga përdorimi i masave bio si burim i ngrohjes, por edhe të investohet në transport publik bashkëkohor, në nivel lokal, me çka mund të ulet përdorimi i automjeteve private, të cilat në vend janë me vjetërsi mesatare prej 20 vjetësh dhe janë ndotës të mëdhenj. Këtyre ditëve Shkupi ëshë në krye të listave të ndryshme që masin ndotjen e ajrit në botë, ndërsa spitalet janë të mbushura me pacientë me sëmundje respiratore, gjendja e të cilëve nga ajri i ndotur përkeqësohet edhe më shumë. /KlanMacedonia/

PËRGATITI: BILJANA GEORGIEVSKA

You may also like