Ndjekje serial-killeri në Romë pas gjetjes së trupave të tre grave të vdekura (fotot)

by admin
Spread the love

Trupat e tre grave që besohet se ishin prostituta janë gjetur të vrara me thikë në dy apartamente të zonës së pasur të Prati në kryeqytetin italian.

Policia në Romë thotë se janë në ndjekje të vrasësi të mundshëm serial pas gjetjes së dy grave me origjinë kineze në një apartament në rrugën Via Augusto Riboty.

Administratori i ndërtesës dha alarmin kur gjeti trupin e një prej grave në hyrje të apartamentit mëngjesin e të enjtes, ndërsa tjetri u gjet brenda shtëpisë.

Ndërsa trupi i një gruaje kolumbiane, e identifikuar si Marta Castano Torres, gjithashtu prostitutë, e goditur për vdekje me thikë, u gjet në apartamentin e saj përdhes në një rrugë aty pranë.

Plagët e goditjeve me thikë te dy gratë kineze ishin në shumë pjesë të trupit, ndërsa identifikimi tyre zyrtar ende nuk është kryer.

Policia në Romë thotë se po heton në besimin se vrasjet janë kryer nga i njëjti person.

Kolumbiania Torres, 65 vjeçe përshkruhej nga shtypi se punonte për të mbajtur bijën e saj, dhe besohet se është vrarë e para.

Vrasjet kanë ndodhur disa metra larg gjykatës së lartë italiane, ku vitet e fundit ka pasur një rritje të rrjeteve të prostitucionit në apartamente.

Ngjarja ka shtuar thirrjet për rregullimin e prostitucioni për mbrojtjen e grave. Italia lejon prostitucionin në rrugë por bordellot janë të jashtëligjshme.

“Vrasjet janë të tmerrshme,” tha Ermina Gbido një organizatë bamirësie që punon në ndihmë të prostitutave dhe kundër trafikut njerëzor.

“Rrjetet kriminale i shfrytëzojnë ato duke i kaluar nga një apartament në tjetrin, në një biznes të ndyrë”.

Federico Rocca, këshilltar bashkiake i Fratelli d’Italia në pushtet , tha se prostitucioni në apartamente është rrënjosur në çdo lagje të qytetit.

“Tre gra kanë humbur jetën të vrarë nga një klient i mundshëm. Përsëri duhet të presim për diçka të rëndë që të ndodhë për të rrëzuar murin e hipokrizisë në lidhje me fenomenin e prostitucionit”, tha ai për mediat.