NATO llogarit dhe më shumë forca në Kosovë – Shqip

by admin
Spread the love

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg bëri thirrje për paqe të mërkurën pas një takimi me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, me të cilin diskutoi për përshkallëzimin e fundit të tensioneve në Kosovë.

“U bëj thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje dhe të shmangin dhunën”, tha Stoltenberg në një konferencë për shtyp me Vuçiçin në selinë e NATO-s në Bruksel.

Stoltenberg e priti Vuçiqin pas një mosmarrëveshjeje që shpërtheu në fund të korrikut për targat dhe dokumentet e identifikimit, gjë që çoi në ngritjen e barrikadave dhe të shtëna në kufirin Kosovë-Serbi, me protagonistë strukturat paralele serbe në Veri.

KFOR-i, misioni paqeruajtës i NATO-s, i cili ka 4000 anëtarë, tha me atë rast se po e monitoron situatën në detaje dhe se është i gatshëm të ndërhyjë “nëse rrezikohet stabiliteti”.

Duke përshëndetur situatën tani më të mirë, Stoltenberg përsëriti se KFOR-i “do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë”.

Një vendim i tillë do të jetë proporcional për të ulur tensionet, tha ai, duke theksuar se NATO do të vendosë më shumë forca të saj nëse është e nevojshme.

Ftesë për dialog politik

Duke folur më pas me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Stoltenberg u bëri thirrje të dyja palëve që të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre përmes bisedimeve politike të organizuara nga Bashkimi Evropian.

“Është një mundësi që Kosova të dëshmojë se është një aktor i përgjegjshëm në komunitetin euroatlantik”, tha Stoltenberg.

Kurti vlerësoi kontributin e NATO-s për sigurinë e Kosovës, duke përsëritur dëshirën e Kosovës për t’u anëtarësuar në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut.

Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, por Serbia nuk e njeh atë.

Nga ana tjetër, shumica e anëtarëve të NATO-s dhe BE-së e njohin Kosovën si shtet të pavarur.

Vuçiç tha se pret bisedime të vështira me kryeministrin e Kosovës të enjten sepse të dy vendet nuk bien dakord pothuajse për asgjë, por theksoi se paqja dhe stabiliteti janë thelbësore.

“Ne kemi historinë tonë, e cila nuk është e lehtë apo e thjeshtë. Por ne duam të forcojmë bashkëpunimin…dhe duam të shmangim çdo mundësi për përshkallëzim dhe konflikt”, tha ai.

Ai shtoi se duhet kuptuar se ekziston një “gjeneratë e re e të rinjve” që e konsiderojnë Kosovën si territor serb. /tesheshi.com/

You may also like