MYNIH – Udhëheqësit e BE-së të shqetësuar për besueshmërinë e SHBA-së në bisedimet e sigurisë

by admin
Spread the love

MYNIH, 16 shkurt /ATSH-DPA/ – Udhëheqësit evropianë bënë thirrje sot për unitet më të madh në zhvillimin e kapaciteteve të sigurisë dhe mbrojtjes së kontinentit, ndërsa një rikthim i mundshëm i ish-presidentit amerikan, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë pritet të trondisë aleatët e Uashingtonit në BE dhe NATO.

Hija e Trump u shfaq e madhe në ditën e parë të 60-të të Konferencës së Sigurisë në Mynih, një mbledhje vjetore e zyrtarëve të lartë politikë dhe të mbrojtjes, në qytetin jugor gjerman, për të diskutuar politikën ndërkombëtare të sigurisë.

Temat kryesore në axhendën e konferencës treditore janë konfliktet e vazhdueshme në Rripin e Gazës dhe Ukrainë.

Rusia ishte në qendër të vëmendjes jo vetëm për pushtimin e saj gati dyvjeçar të fqinjit të saj, por edhe për vdekjen e raportuar në burg të figurës kryesore të opozitës Alexei Navalny.

Por, Trump, kandidati republikan për zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishte herë pas here në krye të vemendjes.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell tha se Bashkimi Evropian ka qenë për disa dekada “shumë i lumtur” nën “ombrellën e sigurisë” të ofruar nga Uashingtoni.

“Epo, ombrella amerikane ndoshta nuk do të jetë e hapur gjatë gjithë kohës,” tha ai, duke i kërkuar BE-së të bëhet “më autonome” sesa ishte mësuar.

Evropa u nervozua nga deklarata e fundit të Trump se Rusia mund të bëntë ç’të donte nëse anëtarët e NATO-s nuk përmbushnin angazhimet e tyre financiare për mbrojtjen.

Deklarata e tij tërhoqi kritika të ashpra nga kundërshtari i tij demokrat, presidenti i SHBA-se Joe Biden, si dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg dhe një sërë liderësh anembanë Evropës.

Gjatë mandatit të tij të parë në detyrë, Trump bëri bujë në vitin 2017 kur e quajti NATO-n “të vjetëruar” duke u ankuar se SHBA-ja po paguante një pjesë të padrejtë si anëtare.

“Duke pasur parasysh situatën, ne duhet të investojmë më shumë për mbrojtjen në Evropë”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Mynih.

“Ne duhet të investojmë më shumë dhe më mirë në Evropë”, tha ajo.

Von der Leyen shtoi se komisioni së shpejti do të publikonte një strategji investimi për mbrojtjen.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius tha se mezi priste të takohej me ligjvënësit amerikanë në konferencë për t’i siguruar personalisht se Berlini po bënte detyrat e shtëpisë dhe ishte i përkushtuar për të marrë pjesën e tij të përgjegjësisë kur bëhet fjalë për NATO-n.

Pistorius theksoi se marrëdhënia transatlantike ishte dhe do të mbetej e një rëndësie të madhe në çdo aspekt. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like