MV – Baerbock: Rusia është përpjekur të pengojë punën e OSBE-së

by admin
Spread the love

SHKUP, 1 dhjetor /ATSH-AA/ – Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock u bëri thirrje anëtarëve të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që të kundërshtojnë Rusinë, duke e akuzuar atë për përpjekje për të penguar operacionet e kësaj organizate prej 57 vendesh anëtare.

Bashkëpunimi në OSBE duhet të forcohet më tej, “edhe pse Rusia ka vënë pengesa masive në rrugën e punës së OSBE-së gjatë një viti e gjysmë të fundit”, tha Baerbock në takimin e Këshillit të 30-të Ministerial të OSBE-së që po mbahet në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut.

“Loja perfide e qeverisë ruse është dhe ishte të shkatërrojë organizatat që mbështeten në bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin, me luftën brutale të agresionit kundër Ukrainës”, pohoi ajo.

“Ne nuk do ta lejojmë këtë”, paralajmëroi kryediplomatja gjermane.

Si asnjë organizatë tjetër, OSBE-ja qëndron për sigurinë e më shumë se 1,3 miliard njerëzve, që do të thotë se ata duan të jetojnë së bashku në paqe dhe siguri dhe zhvillim të mirë ekonomik, theksoi Baerbock.

Fakti që Rusia nuk ka arritur të shkatërrojë OSBE-në “është një kontribut i rëndësishëm për rendin tonë të paqes. Dhe ky rend paqeje duhet të vazhdojë”, shtoi ministrja gjermane.

Sipas saj, kjo gjithashtu do të thotë se ata po punojnë së bashku për të siguruar që të ketë një kryesim tjetër për vitin e ardhshëm dhe pozita të larta që mund të zbatojnë gjithashtu punën e OSBE-së.

Pas muajsh negociatash, Malta ra dakord të hënën të merrte presidencën e radhës të organizatës vitin e ardhshëm, në vend të Estonisë, anëtare e NATO-s, të cilën Rusia e refuzoi hapur.

Rusia ka bllokuar vendimet e organizatës, siç është buxheti i saj.

E themeluar në vitin 1975 si një forum për dialogun midis blloqeve lindore dhe perëndimore, organizata – në të cilën janë anëtarë edhe Rusia dhe Ukraina fqinje – ka funksionuar me mjete ekstrabuxhetore, por tensionet aktualisht janë të larta./   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like