Mustafa: Vizat po ndërlidhen me dialogun, qytetarët t’i bartin pasojat që i votuan penguesit e liberalizmit

by admin
Spread the love

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa
Mustafa thotë me plotë bindje se Kosova tashmë i ka përmbushur të gjitha
kriteret për liberalizimin e vizave.

Mustafa thotë se çështja e
liberalizimit të vizave do të përmbyllej në vitin 2016, nëse ratifikohej marrëveshja
e kufirit me Malin e Zi, raporton Shqip.

Në një intervistë për Shqip,
ish-kryetari i LDK-së, thotë se në atë kohë ka munguar vullneti politik për ta
fituar liberalizimin e vizave.

Sipas Mustafës, kriteret e reja të
vendosura nga Franca kanë qenë të pritshme, për faktin se ka humbur momentumi,
teksa shton se liberalizimi i vizave do të ndërlidhet me marrëveshjen finale
Kosovë-Serbi.

“Në fakt as Demarkacioni nuk ka qenë
kusht që e kanë pasur vendet tjera, mirëpo është shfrytëzuar rasti meqenëse
është parë interesi i përgjithshëm jo vetëm i Kosovës por edhe i stabilitetit
në rajon, që Mali i Zi të bëhet anëtare e NATO-s dhe nuk ishte preferencë që
një shtet të bëhet anëtar i NATO-s nëse nuk i ka rregulluar të gjitha çështjet
kufitare me fqinjët, prandaj ka qenë ajo kërkesë që ta bëjmë ratifikimin e
marrëveshjes dhe ta marrim liberalizimin”, ka thënë Mustafa.

“Kemi mundur ta marrim në vitin 2016,
nuk ka pasur vullnet politik nga opozita i cili po shihet edhe tani, dhe jemi
dëmtuar atëherë. Tani ka qenë e pritshme që nëse futemi në këtë fazë do të kemi
probleme. Disa vende për arsye se na është tërhequr vërejtja edhe atëherë se
disa vende kanë probleme të brendshme me të djathtën ekstreme ose të majtën
ekstreme për ta përkrahur liberalizimin për Kosovën siç ka qenë Franca, sepse
është frikësuar nga e djathta ekstreme dhe disa vende tjera të Bashkimit
Evropian”, ka thënë tutje Mustafa.

“Tani kemi ardhë në atë situatë në të
cilën na u është tërhequr vërejtja edhe atëherë dhe jemi paralajmëruar se nëse
nuk e bëjmë punën në vitin 2016 dhe futemi në zonën e zgjedhjeve për
Parlamentit Evropian dhe të zgjedhjeve të disa shteteve tjera, do të kemi
probleme. Tani kjo çështje është hapur, ka qenë e pritshme të hapet sepse jemi
në fazën e dialogut dhe tani po shfrytëzohet dialogu për të kushtëzuar sipas
meje liberalizimin e vizave me kushtet e reja. Është jokorrekte sepse Kosova i
ka përmbushur të gjitha marrëveshjet me ratifikimin e marrëveshjes së
Demarkacionit me Malin e Zi, dhe unë pres që në këtë formë do të kushtëzohemi
edhe më tutje përderisa nuk bëhet një marrëveshje”, u shpreh Mustafa për EO

Mustafa e ka komentuar edhe kornizën e
propozuar nga Franca dhe Gjermania për marrëveshjen finale me Serbinë, të cilën
e quan gjysmake.

Ai thotë se një kushtëzim i tillë nuk
ka qenë e pritur për Kosovën.

“Në fakt tani mund të bëhet një gjysmë
marrëveshje sepse siç po duket nga disa informata të cilat kanë dalë në opinion
dhe korniza të cilën e ka ofruar Franca dhe Gjermania, nuk e përmbyll tërësisht
çështjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, por mund ta përfundojë një
pjesë tani e një pjesë më vonë, që do të thotë se qoftëse pastaj bëhet
liberalizimi i vizave me një marrëveshje të tillë, atëherë marrëveshja nuk do
të jetë ajo që ka qenë e pritur për Kosovën”, thotë Mustafa.

Ish-kryeministri i ka komentuar edhe
veprimet e opozitës së atëhershme në drejtim të qeverisë së udhëhequr nga vetë
Mustafa. Ai thotë se pasojat janë të shumta, duke përmendur edhe shpenzimet e
qytetarëve për t’i pajisur me vizë.

Mustafa ka thënë se edhe vetë
qytetarët duhet t’i bartin pasojat, pasi sipas tij me votën e tyre i kanë
sjellë në pushtet kundërshtuesit e liberalizimit të vizave.

“Pasojat janë të qarta, pasojat financiare është që siç u tha nga ish-kryeministri Hoti se qytetarët kanë paguar rreth 90 milionë euro për procedurat për viza. Ata që i kanë paguar, të gjithë nuk kanë marrë viza, shumica prej tyre i kanë quar paratë kotë, dhe do të paguajmë ende deri sa t’i plotësojmë kriteret e reja të cilat Franca i vënë para nesh, pra qytetarët e kanë paguar sjelljen e tillë të opozitës, mirëpo vetë qytetarët e kanë paguar edhe sjelljen e vet, sepse qytetarët ua kanë dhënë votën atyre që atëherë e kanë penguar liberalizimin e vizave, atyre që kanë sjellë gaz lotsjellës, bomba molotovi etj, pra qytetarët janë solidarizuar me veprimet e tilla me vetë faktin se i kanë votuar. Prandaj edhe ne si qytetarë duhet t’i bartim pasojat e ndërgjegjes sonë dhe të sjelljes tonë. Është keq, edhe për mua nuk është e kënaqshme që po e them këtë, mirëpo vërtetë kemi ardhë në një situatë që ne tani po i paguajmë dëmin që iu është shkaktuar vendit më përpara”, u shpreh ai.

You may also like