Mustafa: Mjetet e pashfrytëzuara, përbëjnë një formë korruptive – Trusti s’duhet të kalojë

by admin
Spread the love

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka adresuar kritika në drejtim të Qeverisë Kurti për mosshfrytëzimin e mjeteve të dedikuara për investime kapitale, raporton Shqip.

Me këtë rast, ai ka
kërkuar llogari pasi sipas tij, mjetet e pashfrytëzuara përbëjnë një formë të
korruptimit.

Ish-kreu i LDK-së,
ka folur edhe për mundësinë që qytetarëve t’u mundësohet tërheqja e 30 për qind
të Trustit Pensional.

Sipas Mustafës,
mbajtja e më shumë se 700 milionë euro në llogarinë e Qeverisë janë absurde,
teksa thotë se Kosova po përballet me shkallën më të lartë të inflacionit.

“Kjo është e dëmshme
për arsye se inflacioni e ulë fuqinë blerëse të parasë. Nëse inflacioni themi
se është 15 për qind, atëherë për aq më pak do të jetë fuqia blerëse e parave
të Qeverisë të cilat qëndrojnë të pashfrytëzuara, dhe nëse ne mbledhin një
buxhet prej 3 miliardë euro gjatë vitit për të gjitha nevojat, kjo do të thotë
se vlera të buxhetit sivjet nuk është 3 miliardë por 2 miliardë e 600 milionë
euro, duke e hequr komponentën e inflacionit, sepse aq do të mbetet fuqia
blerëse e atyre parave që janë grumbulluar”, u shpreh Mustafa.

“Prandaj në këtë
aspekt abuzohet me buxhetin dhe dikush duhet të përgjigjet për dëmtimin e
parasë publike, ashtu siç përgjigjet për korrupsion sepse edhe kjo është një
formë e korruptimit sepse ajo e dëmton paranë publike duke e mos e shfrytëzuar
atë në kohë. Shfrytëzimi i parasë në kohë ka rëndësi të madhe për një ekonomi.
Unë nuk e kam të qartë për çfarë arsye tani i mban më shumë se 700 milionë euro
të pashfrytëzuara, ndërkaq investimet kapitale janë bllokuar”, u shpeh Mustafa.

Ai ka kritikuar
edhe mënyrën e shpërndarjes së pakove nga ana e ekzekutivit.

“Jo shteti me
ndihma nuk mbahet. Qeveria duhet të ketë politika të qëndrueshme, politika
konsistente, sociale dhe ekonomike. Tani ne kemi nevojë për politika aktive
sociale, e jo për politika pasive, pra politika që qojnë në zhvillimin
ekonomik, nxisin sektorin privat e nxisin punësimin, sepse tani Qeveria flet
për punësim të 40 mijë njerëzve, mirëpo 50 mijë njerëz na kanë ikur e nuk e dimë
se ku janë punësuar ata, a janë punësuar në Kosovë apo jashtë. Në fakt në
Kosovë nuk janë punësuar, sepse në sektorin publik nuk ka hapje vende të reja,
e në sektorin privat nuk kemi investime të cilat kanë mundësuar që të hapen
këto vende të punës”, ka thënë Mustafa.

Mustafa e
konsideron si të gabuar përpjekjen e opozitës për tërheqjen e një përqindje nga
Trusti Pensional.

Mustafa e ka
arsyetuar me pandeminë iniciativën e ish-Qeverisë Hoti. Ai ka thënë se
legjislativi e ekzekutivi nuk duhet ta lejojnë që ky ligj të kalojë.

“Unë atëherë e kam parë arsyen e tërheqjes së Trustit për arsye se ka qenë pandemi, pra nuk funksiononte ekonomia, nuk kishte lëvizje të qytetarëve, nuk mund të shkonin qytetarët në punë, mirëpo tani propozimi i cili ka qenë nga opozita, mua nuk më ka pëlqyer, sepse gjithmonë ekziston frika që neve ua shpenzojmë tani kursimet qytetarëve, sepse pensionet janë kursime individuale, nuk është siç ka qenë më herët që një gjeneratë paguan, e gjenerata tjetër merr, pra tash çdo njëri i ka kursimet e veta dhe kur del në pension i ndan për një periudhë të caktuar kohore dhe i shfrytëzon. Unë nuk e kam parapëlqyer këtë që kjo të ndodh dhe të bëhet shprehi sepse kështu do t’i lëmë qytetarët pa pensione”, ka thënë Mustafa.

You may also like