MOSKË – Rusia tërhiqet nga Traktati Gjithëpërfshirës i Ndalimit të Testeve Bërthamore

by admin
Spread the love

MOSKË, 17 tetor /ATSH-DPA/ – Rusia nisi sot zyrtarisht procesin e tërheqjes nga një tjetër traktat ndërkombëtar i sigurisë, duke i hapur rrugën testimit të armëve bërthamore për herë të parë pas disa dekadash.

Dhoma e Ulët e parlamentit, Duma e Shtetit, miratoi sot një projektligj që parashikon tërheqjen e Rusisë nga Traktati Gjithëpërfshirës i Ndalimit të Testeve Bërthamore (CTBT).

Presidenti rus Vladimir Putin pritet të zyrtarizojë shpejt tërheqjen nga traktati me nënshkrim.

Kjo do të thotë se Rusia së shpejti do të jetë në gjendje të testojë përsëri armë bërthamore për herë të parë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik.

Testi i fundit i armëve bërthamore ishte 33 vjet më parë, më 24 tetor 1990.

Putin e justifikoi tërheqjen nga Traktati Gjithëpërfshirës i Ndalimit të Testeve Bërthamore duke thënë se Rusia duhet të ketë të njëjtat mundësi si SHBA-ja.

Uashingtoni mund të testojë armë bërthamore në çdo kohë, sepse nuk e ka ratifikuar kurrë CTBT-në.

Udhëheqësi parlamentar Vyacheslav Volodin tha sot se Moska kishte pritur më shumë se 20 vjet që Uashingtoni të ratifikonte traktatin.

“Tani Rusia po vepron për të vendosur ekuilibrin strategjik dhe për të bërë gjithçka për të mbrojtur qytetarët e saj”, tha ai.

Rusia kohët e fundit është tërhequr nga disa traktate të çarmatimit.//a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like