Moisiu kërkon nga Bashkimi Evropian t’i bëjë presion Serbisë që ta njohë Kosovën (VIDEO)

by admin
Spread the love

Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që t’i bëjë presion Serbisë që ta njohë Kosovën.

Moisiu, në një intervistë thotë për KosovaPress, deklaroi se pas agresionit rus në Ukrainë dhe mosvendosjen e sanksioneve nga Serbia, Bashkimi Evropian nuk duhet të përkëdhelë Serbinë.

“Serbët e kanë të vështirë njohjen reciproke, nuk po hy arsyet pse, ata e dinë më mirë. Por ai është maksimumi që ne kërkojmë, prandaj duhet hap pas hapi. Këtë punë Evropa e ka në dorë më shumë se kushdo për të shtrënguar Serbinë dhe mos të përkëdhelin. Pasi e kanë përkëdhelur deri tani, konsideronin se më mirë është me pas këndej Serbinë se nga Rusia”, tha ai.

Moisiu tutje u shpreh se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë për të arritur vetëm një epilog përfundimtar.

“Edhe rusët edhe serbët kanë të njëjtën gjuhë, kjo nuk është e rregullt dhe kjo na shqetëson. Ne i themi fqinjëve tanë, siç kemi jetuar bashkë, do të vazhdojmë të jetojmë, por si komshi. Unë përdor shpesh një fjalë, shokun dhe mikun mund të zgjidhesh, por komshiun ta jep Zoti. E rëndësishme është që të gjejmë mënyrën si të merremi vesh dhe të jetojmë në paqe. Sigurisht kjo nuk është aq e thjesht sa thuhet, por duhet të arrihet. Pasi për të zgjidh problemet, dy rrugë ka, ose me armë, ose bisedojmë. Me armë, lufta këtu është bërë, tani ka ardhur koha të ulet në tavolinë, por me drejtësi, ndershmëri për t’i zgjidhur problemet dhe jo për të zgjatur kohën, këtu duhet edhe Evropa të jetë e kujdesshme”, shtoi Moisiu.

You may also like