Ministri i Jashtëm grek në konferencë për shtyp me homologun serb: Athina do i vijë në ndihmë Serbisë për integrimin në BE

by admin
Spread the love

Ministri i Jashtëm grek Nikos Dhendias në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij serb Ivica Daçiç ka theksuar se për fat të keq, rajoni i Ballkanit Perëndimor përballet me sfida shumë të rëndësishme ,me përpjekje destabilizimi nga forca revizioniste që janë aktive edhe në rajon në një moment, kur vëmendja e komunitetit ndërkombëtar është përqëndruar tek Ukraina.

Këto forca ka thënë Dhendias, duan që Serbia të mos jetë pjesë e familjes evropiane, ndërkohë që Athina , do ta ndihmojë atë në rrugën e saj evropiane sepse beson se është një shtet shumë i rëndësishëm në Ballkan.

Sa i përket dialogut Beograd-Prishtinë, kryediplomati grek ka thënë se Greqia mbështet arritjen e një zgjidhjeje kompromisi politik në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Dhe, për tu arritur ky progres , çdo vendim i njëanshëm duhet të bëhet brenda kornizës së dakorduar të dialogut, duke shmangur lëvizjet që mund të rrezikojnë ekuilibrin shumë të brishtë që është arritur.

Më herët Ivica Daçiç në një intervistë për gazetën Kathimerini, i pyetur për çështjen e Kosovës ka theksuar se mbështetja e Athinës në dialog dhe në përgjithësi qëndrimi influencues si anëtare e BE-së i Greqisë, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, është më se i vlefshëm për Beogradin i cili i është mirënjohës Athinës për këtë.

Greqia tregon kështu jo vetëm marrëdhënien e ngushtë me Serbinë, por mbi të gjitha përkushtimin e saj ndaj parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe respektimit të normave të pranuara ndërkombëtarisht, brenda të cilave ne mund të zhvillohemi si kombe demokratike dhe kombe partnere.

Sot, ka thënë Daçiç , parimi i sovranitetit dhe i integritetit territorial është i një rëndësie të veçantë, por ai duhet të jetë po aq i rëndësishëm dhe i respektuar për çdo shtet, pa përjashtim – si për Qipron, Ukrainën, Greqinë dhe Serbinë.

Dy homologët kanë diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe në ekonomi, energji , kulturë dhe mbrojtje, ndërsa interes kishte edhe biseda për krijimin e infrastrukturës së rrugëve internacionale apo edhe linjave hekurudhore prej vendeve të BE drejt Serbisë ,me destinacion përfundimtar Greqinë.


Top Channel

You may also like