Miliona muslimanë ‘shiit’ shënojnë Ditën e Arbain në Karbala të Irakut (fotot)

by admin
Spread the love

Të veshur në të zeza, rreth 20 milionë pelegrinë muslimanë nga e gjithë bota ishin mbledhur sot në qytetin iraken të Karbala, për ditën fetare përkujtimore të Arbain.

Megjithë krizën politike që ka përfshirë vendin, besimtarët shiit erdhën për të shënuar fundin e 40-ditëshit të zisë për vrasjen imamit Hussein në shekullin e 7-të.

Kjo konsiderohet si një ditë themelore për besimin e tyre.

Në festivalin e përvitshëm burra e gra udhëtojnë drejt Karbala, në vendvarrimin e Imamit Hussein dhe vëllait të tij Abbas, në një nga grumbullimet më të mëdha fetare në botë.

Mes tyre llogaritet se janë rreth 5 milionë vizitorë të huaj, duke përfshirë tre milionë nga Irani fqinjë, sipas statistikave të të dyja vendeve.

Në fushën mes dy mauzoleumeve të Hussein e Abbas, besimtarët recitonin sot lutjet e tyre.

Grupe burrash rrihnin gjokset e tyre nën ritmin e recitimve të lutjes të përsëritura nga megafonët, ndërsa të tjerë ecnin ngadalë mes dy mauzoleumeve.

Pelegrinët valëvisnin flamurë të zinj me imazhe të imamit Hussein.

Që pas pushtimit të vendit nga ushtria e SHBA në 2003, pjesëmarrja në festivalin e Arbain ka ardhur gradualisht duke u rritur.

“Arbain do të thotë gjëra të ndryshme për njerëz të ndryshëm, për irakenët është një shprehje e lirisë dhe e krenarisë së identitetit shiit”, tha studiuesi Alex Shams, për rrjetin AFP.