Milanisti Toçi, talenti i Fiorentinës që do të ndjekë gjurmët e Ibrës dhe Brojës

by admin
Spread the love

Eljon Toçi është një nga futbollistët më spikatur te Shqipëria U19, që tani ka bërë kapërcimin e radhës duke u ftuar Alban Bushi te Shpresat. Sulmuesi para pak ditësh i shënoi Romës me fanellën e Fiorentinës U19, me të cilën ka realizuar 6 gola këtë sezon, dhe tashmë rrëfehet për gjithçka rreth vetes për faqen e FSHF.

“Lidhja ime me futbollin ka nisur që në moshën 6-vjeçare. Njeriu që më ka afruar më shumë me këtë sport ka qenë babai, por edhe shoqëria e së njëjtës moshë më ka tërhequr nga futbolli. Luanim gjithmonë së bashku dhe aty më lindi pasioni për futbollin. Futbolli është ëndrra e jetës sime dhe kjo është një shtysë për mua. Që 6 vjeç ëndërroja të debutoja në Serie A. Kjo është ambicia ime dhe e gjithë familjes. Kjo më motivon të vazhdoj e të rritem në këtë profesion”, shprehet Toçi mes të tjerash.

Më tej ai flet për emocionet që kishte kur u ftua nga Shqipëria U19: “Kur mora ftesën nga Kombëtarja U-19 për herë të parë, u ndjeva shumë krenar unë dhe familjarët e mi. Kujtoj që në grumbullimin e parë njihja shumë lojtarë, pasi luanin në Itali. Ishin shumë lojtarë me cilësi dhe nivel. Aty arrita të kuptoj që futbolli shqiptar çdo vit përmirësohet. Më kujtohet ndeshja e parë, kundër Italisë. Italia është skuadër e fortë, por ne e mbajtëm rezultatin duke luajtur mirë. Të gjithë më komplimentuar”.

Toçi për momentin krenohet edhe me faktin që është grumbulluar me Fiorentinën në një ndeshje kundër Lazios. “Arritja ime personale për të cilën jam krenar është fakti që më ka ftuar Fiorentina, një klub i Serie A. Grumbullimi i parë ka qenë emocion i papërshkrueshëm. Luajtëm në Romë në “Olimpico” dhe për mua ishte e pabesueshme që ëndrra e një jete u realizua. I shikoja të gjithë lojtarët, që deri para tre viteve i shikoja në TV, pesë metra nga unë. Ishte emocion tepër i fortë”.

Toçi tregon edhe shembujt e tij: “Lojtari që më motivon më shumë është Broja, absolutisht. Kjo sepse është një lojtar që ka arritur gjëra të rëndësishme  për moshën që ka. Unë e marr si shembull sepse nuk është e lehtë jashtë Shqipërie të arrish në ato nivele, për një lojtar shqiptar. Kurse lojtari i huaj që e kam si shembull le të themi, është Zlatan Ibrahimoviç. Ai është lojtar i skuadrës që e kam në zemër, Milani, dhe është sulmuesi më i fortë”.

Sulmuesi motivohet nga shqiptarët e tjerë që luajnë në Serie A dhe dëshiron që edhe vetë të jetë pjesë e tyre. “Synimi më i madh për mua është të arrij në Serie A, pasi është ëndrra ime. Do të doja të “imitoja” Ibrahimoviç, të arrij në majat e futbollit italian dhe jashtë tij. Dua të jem një idhull për gjithë lojtarët shqiptarë që luajnë anembanë botës”, përfundon Toçi. / oversport.tv

You may also like