Mikpritësit e Lojërave Olimpik “Paris 2024” do të vizitojnë Kosovën

by admin
Spread the love

Me ftesë të Komitetit Olimpik të Kosovës, delegacioni më i lartë i Komitetit Olimpik të Francës, në krye me presidenten Brigitte Henriques, do të qëndrojnë për dy ditë në Kosovë.

Presidentja Henriques do të shoqërohet edhe nga nënpresidenti Pierre Siutat, i cili është edhe kryetar i Federatës së Basketbollit të Francës dhe kandidat për kryetar të FIBA Evropës, Sophie Metais, drejtoreshë për marrëdhënie ndërkombëtare dhe asistenti i saj, Pierre-Louis Magnani.

Arsyeja e vizitës në Kosovë të mikpritësve të Lojërave Olimpike Paris 2024, është thellimi i bashkëpunimit me Komitetin Olimpik të Kosovës, përmes memorandumit të bashkëpunimit.

Pjesë e memorandumit që do të nënshkruhet të hënën, janë edhe Komiteti Olimpik Kombëtar i Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, të cilët po ashtu do të vizitojnë KOK-un.

Memorandumi i bashkëpunimit do të quhet “Balkans Cooperation 5 (BC5)”, ndërsa do të vlejë deri në vitin 2028. Në memorandum përfshihen çështje të ndryshme të bashkëpunimit para dhe pas LO Paris 2024.

Delegacioni nga Franca do të mirëpritet të hënën edhe nga drejtuesit më të lartë të shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministri Hajrullah Çeku.

You may also like